
Borusia e Dortmundit dhe Bajerni i Mynihut ruajnë diferencën prej 4 pikësh në krye të Bundesligës gjermane.
Dy skuadrat kryesuese fuituan në ndeshjet e tyre respektive duke mundur Hanoverin dhe Shalke 04. Në Vestfalenshtadion, Borusia e Dortmundit e mundi Hanoverin me rezultatin 3-1 në një ndeshje të kontrolluar plotësisht prej saj. Skuadra kampione e mbylli pjesën e parë 1-0 me gol të Levandovskit, por ky rezultat mund të ishte më i thellë duke parë edhe rastet e tjera për shënim.
Në fillimin e pjesës së dytë Levandovski shënoi edhe golin e dytë për skuadrën e tij duke lënë të kuptohet se gjithçka ishte e mbyllur. Por Hanoveri rihapi llogaritë pas golit të Ja Konan. Në minutat shtesë të ndeshjes, Perisiç vulosi përfundimisht fitoren për Borusian e Dortmundit.
Bajerni mundi në ndeshjen e tij Shalken me rezultatin 2-0. Në Alianz Arena skuadra bavareze ishte superiore kundrejt rivalëve të saj duke marrë një fitore të merituar. Bajerni pati shumë raste për shënim, të cilat u konkretizuan në minutën e 36 me anë të Frank Riberi.
Ishte po ky futbollist që shënoi edhe golin e dytë për skuadrën e tij që ngjitet në kuotën e 48 pikëve, ndërkohë që Shalke mbetet me 44 pikë në vendin e katërt.
Top Channel