Nigeri, sulm me bombë ndaj një kishe

26/02/2012 09:50

Një sulm me bombë vrau të paktën dy persona të dielën, pasi një kamikaz shpërtheu veten në bordin e një makine pranë një kishe në qendër të qytetit të trazuar nigerian të Josit.

Shpërthimi ndodhi ndërsa në kishë po mbahej një meshë. Një reporter i “Reuters” ka arritur të identifikojë dy trupa, por “AFP” citon një prift, i cili ka konfirmuar tre viktima dhe të paktën dhjetë të plagosur.

Sulmet ndaj kishave janë shndërruar në një fenomen shqetësues në veriun e vendit më të populluar afrikan (me 140 milionë banorë), i përçarë nga një luftë sektare gjithmonë e më e fuqishme.

Ndonëse askush nuk ka marrë përgjegjësinë për këtë vepër, besohet se sulmi është organizuar nga organizata e Boko Haram, një lëvizje terroriste me lidhje të ngushta me Al-Kaedën.

Ishte pikërisht Boko Harami organizata që organizoi një zinxhir shpërthimesh në Jos në ditën e Krishtlindjeve, duke vrarë 80 persona.

Top Channel