Afganistan, amerikanët u vranë nga një polic

26/02/2012 10:10

Një antar i Shërbimeve të Fshehta Policore të Afganistanit është shpallur në kërkim, si i dyshuar për vrasjen e dy zyrtarëve të lartë amerikanë brenda Ministrisë së Brendshme në Kabul, ditën e shtunë.

Sipas burimeve zyrtare, ka prova të qarta se 25-vjeçari Abdul Saboor është personi që ekzekutoi me gjakftohtësi majorin dhe togerin e NATO-s, të ndodhur në institucion për një takim zytar.

Banesa e Saboor në krahinën e Parvanit u kontrollua gjatë natës, por vendndodhja e tij ende nuk është e qartë. NATO tërhoqi misionin e tij pranë Ministrive Afgane pas sulmit.

Sulmet e kryera nga policët ose oficerët afganë ndaj aleatëve të tyre ndërkombëtare janë kthyer në një fenomen shumë shqetësues për trupat e koalicionit.

Së fundmi, në shënjestërn e talebanëve u vendosën edhe dy efektiva shqiptarë, me kapiten Feti Voglin që gjeti vdekjen i qëlluar nga një polic afgan në Kandahar dhe nëntetar Aleksandër Peçin, i plagosur rëndë.

Talebanët morën përsipër përgjegjësinë për sulmin e Ministrisë, së motivuar sipas tyre nga djegia e Kuranit në një bazë amerikane në Bagram.

Presidenti i SHBA-ve, Barack Obama, dënoi me tonet më të ashpra djegien e librit të shenjtë dhe i drejtoi një falje zyrtare afganëve, por siç duket, kjo nuk ka mjaftuar për ekstremistët fetarë.

Top Channel