Lëvizja Vetëvendosje ka filluar të mbledh nënshkrimete qytetarëve të Kosovës, për të thirrur një seancë të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës.

Kjo ka ardhur pasi subjektet politike opozitare respektivisht deputetët e tyre, deri më tani nuk i kanë dhënë firmat e tyre, për të arritur në 40 numrin e duhur për të parashtruar kërkesën dhe për t’u pranuar më pas.

“Ne jemi të hapur për të gjitha partitë për ta përkrahur këtë iniciativë, por gjithsesi ekziston edhe instrumenti ku me nënshkrimet e qytetarëve ne mund të fusim një temë të tillë në rendin e ditës dhe ne mendojmë që aq më shumë me këtë valë të nënshkrimeve që kemi këto dy orë të para tanimë, kjo edhe më shumë e bën urgjente seancën për këtë temë”, thotë Dardan Sejdiu nga Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas Sejdiut, nëse mblidhen 10 mijë nënshkrimet e qytetarëve, atëherë në seancë do të paraqesin një mocion përmes së cilit do të kundërshtohet prezantimi i Kosovës në nismat rajonale përmes një fusnote.

Në Lidhjen Demokratike të Kosovës, gjatë së shtunës kanë ripërseritur qendrimin e mëhershëm kundërshtues ndaj fusnotës, kur janë pyetur nëse do të mbështesin Vetëvendosjen me nënshkrime për seancë.

Ndërsa në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës deklarohen se nuk do të nënshkruajnë kërkesën e Vetëvendosjes për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme.

“Ne dëshirojmë që të marrim veprimet të cilat e tejkalojnë këtë situatë dhe i zbehin dëmet që janë shkaktuar nga kjo fusnotë. Një debat që vetëm do të diskutonte dhe do të çementonte me një votim këtë fusnotë do të ishte në dëm të Kosovës dhe si rrjedhojë ne do ta përkrahim”, thotë Besnik Tahiri nga Aleanca përArdhmërinë e Kosovës.

Për më tepër, Tahiri ka thënë se AAK, si parti shtetformuese dhe institucionaliste, nuk do të mbështesë protestën e Vetëvendosjes, e paralajmëruar për 27 shkurt.

Top Channel