Përfshirja e tarifës së pastrimit në faturën e ujësjellësit ka revoltuar personat me status të vecantë që përfitojnë kompensim me ligj, pasi ata janë detyruar të paguajnë përvec faturës së ujit edhe tarfën e pastrimit për muajin janar, ndërkohë që për shkak të procedurave të ngadalta, do t’u duhet ta paguajnë edhe për muajin shkurt.
“Kam paguar 4 mijë e ca lekë të vjetra, kam paguar taksën e gjelbërimit dhe më thanë që do paguhet rregullisht cdo muaj. Ne jemi të papunë, me ndihmë ekonomike, jemi të sëmurë, gruan e kam të sëmurë. Takësn e gjelbërimit nuk e paguajmë dot muaj për muaj”, thotë një person me status të vecantë që përfton kompensim me ligj.
Bashkë me qytetarët e prekur nga ky problem, kreu i grupit të këshilltarëve socialistë në Këshillin Bashkiak, Aldrin Dalipi i kërkon kryetarit të bashkisë, Lulzim Basha të marrë masa të menjëhershme për t’u kthyer paratë kësaj kategorie, pasi sipas tij, jo vetëm kjo kategori, por edhe qytetarët e tjerë janë përfshirë padrejtësisht në këtë pagesë pasi kontrata me ujësjellësin është nënshkruar në 31 janar, ndërkohë që faturat e ujësjellësit janë printuar një ditë para nënshkrimit të kësaj kontrate.
“Në kërkojmë që sa më parë të merren masat e kompensimit të shtresave sociale në nevojë, të bëhen publike se si do të kompensohen dhe në cilat afate qytetarët do të kompensohen sa më parë dhe do t’u jepet zgjidhja për problemin e tyre madhor, e drejta e tyre. Kontratën e kanë firmosur më datën 31 janar 2012 me ujësjellësin, ndërkohë që nga ana tjetër faturat e qytetarëve, mbajnë datën e printimit, 30 janar 2012. E ka të vështirë të japë përgjigje ashtu si edhe në rastet e tjera kur qytetarët kërkojnë t’i dëgjohet zëri, të mos tregojë më përralla me « one stop shop » apo me leje ndërtimi 55 ditore në kulmin e një krize financiare për qytetarët, sepse kryetari i bashkisë e ka mendjen tek lejet e ndërtimit apo panairet, ndërsa qytetarët janë në hall për faturat që cdo ditë ua bëjnë jetën më të vështirë e të pamundur”, deklaroi këshilltari socialist, Aldrin Dalipi.
Të gjithë personat që gëzojnë një status të vecantë duhet të dorëzojnë pranë njësive bashkiake dokumenta si kartë identiteti, dëshmi të paaftësisë, veteranit, paraplegjik apo i vërbër me qëllim që të përfitojnë nga kompensimi për muajt në vazhdim.
Top Channel