Përmes një letre, David Jones, komandanti i Skuadronit të Dytë të Ushtrisë Amerikane që operon në kuadër të ISAF-it në Afganistan, i drejtohet familjes së Feti Voglit, ku shpjegohen edhe rrethanat e vrasjes së kapitenit.

“Dëshiroj të shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për humbjen e të dashurit tuaj. Fetiu po kryente një mision humanitar jashtëzakonisht të rëndësishëm në ditën që ndodhi incidenti tragjik. Ai po eksploronte mënyrat se si mund të ndërtohej një shkollë dhe një qendër shëndetësore në një zonë të quajtur Robat, ku komuniteti lokal ka nevoja jetike për arsimim më të mirë dhe infrastrukturë shëndetësore më të mirë.

Fetiu, shpjegon nënkoloneli amerikan, po kryente një mision rikonicioni në Distriktin Spin Boldak, në Afganistanin Jugor së bashku me kontingjentin e tij të Forcave Speciale Shqiptare “Eagle 4”, si dhe me trupa nga skuadroni i Kavalerisë e anëtarë të policisë afgane. Gjatë operacionit, një polic i pabesë afgan, në mënyrë krejt të befasishme hapi zjarr dhe plagosi Fetiun dhe dy ushtarë të tjerë të koalicionit. Një komandant afgan i Pikës së Kontrollit u përpoq të reagonte shpejt për të neutralizuar agresorin, por gjithsesi plagët e Fetiut rezultuan shumë të rënda.

Jones shpjegon edhe reagimin dhe sjelljen e Fetiut pas këtij sulmi të befasishëm duke i cilësuar heroike. “Për këtë arsye, ju siguroj, thote ai, që Fetiu është për ne një hero, që do të nderohet e do të ketë nderimet tona më të larta, ndërsa vazhdojmë misionin tonë në Afganistan”.

Sulmi ndaj komandove shqiptare të kontigjentit “Eagle 4” ndodhi më 20 shkurt. 31-vjecari Feti Vogli nga fshati Shpat i komunes Baldushk ndërroi jetë nga plagët e marra, ndërsa specialisti i armatimit, Aleksandër Peci 23-vjec, ndodhet aktualisht në Spitalin Ushtarak Amerikan të Landshtulit në Gjermani dhe gjendja e tij është përmirësuar.

 

Top Channel