Komuna Frashër, 40 ditë e izoluar

25/02/2012 17:00

Ka 14 ditë që punohet nga dy mjete fadroma për hapjen e rrugës që të çon në Komunën Frashër të Përmetit.

Një segment prej 15 km është i mbuluar nga shtresa e borës dhe akullit. Dy pjesët më problematike janë Bredhi i Hotovës dhe Kokojka, ku trashësia e borës arrin deri 2 metër.

“Është dita e 14 që punojmë, me intensitet të lartë, me orë të zgjatura, janë dy mjete, një me goma dhe një me zinxhirë. Punojmë jo për interes, por për të hapur rrugën për komunitetin e izoluar në këtë zonë. Pasi hapëm dëborën e parë, kjo e dyta është e papërballueshme”, thotë Agron Turabiu, punëtor që po punon në zhbllokimin e aksit rrugor.

Ndërkaq banorët thonë se kanë bërë 10 orë rrugë në këmbë për të marrë ilace dhe ushqime deri në mesin e rrugës.

“Kemi 40 ditë pa ilace dhe pa ushqime. Doktori i zonës deri në njëfarë vendi erdhi në këmbë dhe ne shkuam e morëm ilacet, 10 orë vajtje-ardhje në këmbë”, thotë Mariana Naqellari, banore e Komunës Frashër.

Nën/kryetari i komunës Robert Bonjo deklaron se situata është e vështirë dhe se askush nuk është interesuar për 9 fshatrat e bllokuar tërësisht.

“Kemi 40 ditë të izoluar, për më tepër qendra e Komunës, pa llogaritur 9 fshatrat që nuk janë hapur akoma. Shumica e fshatrave kanë mbetur pa bazë ushqimore për bagëtinë. Jemi lidhur me të gjithë, e kemi ngritur problemin edhe në qark edhe tek drejtoria e Rruga-urës që para 3 ditësh na thanë që u hap rruga e Frashërit. Edhe sot debatova me drejtorin e rrugës që thoshte se kishte 3 ditë që kishte hapur rrugën e Frashërit”, thotë nënkryetari i komunës, Robert Bonjo.

Kryeplaku i fshatit Frashër deklaron se u kanë mbaruar rezervat ushqimore për vete dhe gjënë e gjallë. Rreth 20 ditë e gjithë zona ka qenë pa drita, të cilat i ka rregulluar vetë fshati pasi punonjësit e CEZ s’kishin rrugë nga të kalonin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA