Grumbullimi i lojtarëve të rinj për ndeshjen miqësore me Gjeorgjinë duket se nuk do jetë hapi i parë dhe i fundit i trajnerit të kombëtares shqiptare, De Biazi.
Ndryshe nga drejtuesit e mëparshëm, tekniku italian ka theksuar se në përfaqësuese asnjëri nuk e ka vendin e sigurtë.
“Unë do t’u jap mundësinë të gjithë atyre që janë në lartësinë e duhur për të luajtur me kombëtaren. Këta që janë në kombëtare nuk duhet të jenë të qetë dhe me idenë se do të jenë gjithmonë. Ai që është tani, duhet ta meritojë këtë vend dhe ai që s’është duhet të punojë që të arrijë këtu. Me duhen lojtarë që kanë kualitet të mirë teknik, që kanë dëshirë të punojnë në grup, të mendojnë si një kokë e vetme, dmth të mendojnë si ne dhe jo si unë. Nëse do ta kemi këtë mentalitet do të bëhemi një skuadër e mirë dhe sigurisht fitues”, thotë De Biazi.
Pasi ka parë dhe analizuar ndeshjet e kombëtares në këto 2 vitet e fundit, trajneri De Biazi ka nxjerrë disa pika ku ai dhe stafi duhet të punojnë më shumë me skuadrën.
“Skuadra pëson shumë gola dhe për këtë duhet të përmirësojmë aspektin mbrojtës, jo vetëm repartin e mbrojtjes. Por kjo duhet përmirësuar si skuadër. Për mua është shumë e rëndësishme që të gjithë të ndihmojnë njëri-tjetrin, të sulmojmë me shumë lojtarë, por njëkohësisht të mbrohemi me shumë lojtarë. pastaj duhet të jemi më të saktë në qarkullimin e topit. Për të qenë një skuadër duhet të mbrohemi me 11 vetë dhe të sulmojmë po me 11 nëse do të jetë e mundur, por me shumë ekuilibër dhe shumë inteligjencë”, shtoi trajneri i kombëtares kuqezi.
Trajneri De Biazi ka grumbulluar lojtarë shumë të rinj në moshë në këtë miqësore duke lënë jashtë lojtarë që deri dje pozicioni i tyre në ekip ishte i palëkundshëm.
Top Channel