Pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinje janë hapur për trafikun, por misioni EULEX vazhdon ta ketë të pamundur lëvizjen e lirë në zonat veriore të Kosovës.

Deklarata është bërë nga zëdhënësja e misionit evropian për rendin dhe ligjin, Irina Gudeleviç, gjatë një prononcimi për gazetarët serbë të cilët janë mbledhur të shtunën në Bërnjak.

“Barrikadat janë ende problem”, ka thënë zëdhënësja, e cila ka shtuar se doganierët dhe agjentët e EULEX-it ndodhen në pikat kufitare, bashkë me kolegët e Policisë së Kosovës.

Më herët gjatë muajit ishte Zyra Civile Ndërkombëtare që paralajmëroi se çështja e veriut mund të mbetet e pazgjidhur edhe kur misioni i saj të përfundojë, ashtu sikurse kur të mbyllet proçesi i pavarësisë së mbikëqyrur.

“Zgjidhja e problemeve në veri do të vazhdojë të mbetet një çështje e përbashkët ndërmjet aktorëve vendas e ndërkombëtarë, nëse ICO-ja e përfundon misionin gjatë këtij viti, pa zgjidhjen e problemeve në atë pjesë të vendit”, deklaroi zëdhënësi i ICO-së, Christian Palmer.

Përfundimi i pavarësisë së mbikëqyrur do ta eliminojë nga Kushtetuta propozimin gjithëpërfshirës për statusin, pasi fundi i mbikëqyrjes do të nënkuptojë zbatimin e plotë të këtij propozimi.

Ndërsa sekretari i përgjithshëm i NATO-s deklaroi se dialogu “teknik” i Brukselit mund të përdoret edhe për negociata politike për veriun e Kosovës.

Në përfundim të ministerialit dyditor të mbrojtjes që u mbajt në fillim të muajit në Bruksel, Rasmussen garantoi se nuk do të ketë pakësim trupash të KFORit për sa kohë situata mbetet e brishtë.

Top Channel