Durrës, vetëplagoset dhe sajon grabitjen

25/02/2012 12:25

I mbytur në borxhe dhe i përfshirë keqazi në bixhoz, një i ri nga Durrësi është vetëplagosur për të sajuar grabitjen e tij nga persona të panjohur.

20-vjeçari Ulian Seferi ka menduar të shpëtojë nga një borxh që i kishte së fundmi pronarit të një pike lojërash fati ku edhe punonte.

Nga denoncues i rastit ai ka përfunduar në një të ndaluar të policisë, e cila pas verifikimeve të para ka zbardhur shpejt çështjen dhe e ka vënë të riun nën akuzën e konsumimit të veprave penale të kallëzimit të rremë dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake.

Një dite më parë Seferi ka mbërritur në spitalin rajonal të Durrësit, i plagosur në këmbë me armë zjarri. Siç ndodh rëndom në këto raste, autoritetet spitalore kanë njoftuar policinë.

Në deklarimin e tij i plagosuri ka thënë se në kohën kur kthehej për në banesë, në zonën e Spitallës, lagjen nr. 15 të Durrësit, është sulmuar nga dy persona të panjohur, të maskuar dhe të armatosur që e kanë plagosur në këmbë dhe i kanë marrë çantën që mbante në brez me 480.000 lekë.

Nga hetimet e ndërmarra nga shërbimet policore për zbardhjen e kësaj ngjarjeje rezultoi se i plagosuri e kishte krijuar vetë me dije të plotë një skenar të tillë.

Rezultoi se ai është vetëplagosur me pistoletë, pasi i detyrohej pronarit të një subjekti lojrash fati, ku ishte i punësuar, një shumë prej 500.000 lekësh. I riu jo vetëm punonte, por paratë që klientët linin në lojërat e fatit i riluante duke u zhytur edhe vetë në borxhe.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA