Takimi për Sirinë

24/02/2012 00:00

Siria përballet të enjten me një ultimatum të ri, gjatë një konference ndërkombëtare që po mbahet në Tunizi dhe që ka si synim të rrisë presionin ndërkombëtar mbi vendin arab.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Europa dhe disa vende arabe sfidojnë presidentin Bashar al-Assad duke i kërkuar që t’i ofrojë menjëherë ndihmë humanitare popullsisë së tij në zonat më të prekura nga luftimi.

Megjithatë, Rusia dhe Kina, dy superfuqitë që kanë bllokuar rezolutat e mëparshme të OKB-së kundër Damaskut, kanë refuzuar që të marrin pjesë në konferencën e “Miqve të Sirisë”.

Sipas aktivistëve, më shumë se 90 persona u vranë gjatë të enjtes në të gjithë Sirinë. Rreth 70 vende, midis të cilave edhe SHBA, Britania e Madhe, Franca dhe Turqia, kanë dërguar përfaqësuesit e tyre në konferencën e organizuar me nismën e Ligës Arabe.

Konferenca pritet të dalë me një deklaratë të përbashkët mbi Sirinë, të cilës do t’i kërkohet një armëpushim i menjëhershëm dhe dhënia e ndihmës për zonat e dëmtuara nga lufta.

Ndonëse regjimi i Assad i ka injoruar vazhdimisht thirrjet ndërkombëtare për paqësimin e situatës në vend, caktimi nga Liga Arabe dhe OKB i një figure si Kofi Annan si negociator për Sirinë rrit dukshëm presionin mbi Damaskun.

Top Channel