Përplasjet për reformën zgjedhore

24/02/2012 20:10

Në pritje të shtyrjes së mandatit, çka ka ndodhur historikisht me komisionin e reformës zgjedhore, Partia Demokratike është shfaqur e surprizuar nga akuzat e kryetarit socialist Edi Rama, se kjo reformë po zvarritet dhe se mazhoranca refuzon përmbushjen e rekomandimeve të ODIHR-it.

Eksperti demokrat në komisionin për reformën zgjedhore, Oerd Bylykbashi, duke renditur 4 kapitujt e miratuar nga komisioni, thotë se deri tani në këto kapituj janë trajtuar rreth 20 rekomandime të ODIHR-it dhe se në asnjë rast Partia Demokratike nuk ka refuzuar ndonjë nga rekomandimet, siç ka pohuar ditët e fundit kreu i opozitës Edi Rama.

“Në gjykimin tim nuk kam konstatuar asnjë lloj ngërçi. Është surprizuese fanfara e ditëve të fundit e zotit Rama, i cili është lëshuar me vrull për të thënë se diçka e rëndë po ndodh. Kjo është keqdashje, keqbesim, për më të tepër është rënë dakord me zotin Rama që do të ketë një shtyrje përgjatë muajit mars”, deklaron Bylykbashi.

Muaji mars do të jetë vendimtar për trajtimin e çështjeve më të nxehta të reformës, ku bën pjesë edhe riformatimin e administratës zgjedhore, për të cilën deri tani, sipas zotit Bylykbashi, nuk ka asnjë propozim konkret nga ana e Partisë Socialiste.

Por kjo nuk ka penguar palët të vijojnë punën dhe së shpejti pritet diskutimi në komision i dy kapitujve shumë të rëndësishëm, listave zgjedhore dhe numërimit të votave, për të cilat Oerd Bylykbashi thotë se jo vetëm ka marrëveshje me opozitën, por janë përfshirë edhe elementë të rinj, që shkurtojnë dhe bëjnë më transparent proçesin e numërimit.

Ajo ku nuk bien dakord palët është diskutimi qoftë edhe i përgjithshëm, siç kërkon zoti Rama, për prekjen e sistemit zgjedhor. Demokratët janë të prerë në këtë pikë.

“Aq më pak ia vlen të diskutohet për sistemin, kur nuk është çështje e rekomandimeve. Kjo vetëm sa do të vononte punën e komisionit dhe do të nxirrte nga pista orientimin”, nënvizon Bylykbashi.

Ndërkohë, i pyetur me telefon nga Top Channel se ku qëndron ngërçi në reformën zgjedhore dhe cilat janë çështjet që po zvarriten, bashkëkryetari socialist i komisionit për reformën zgjedhore, Damian Gjiknuri nuk citoi ndonjë çështje konkrete.

E vetmja kërkesë e zotit Gjiknuri ishte që ekspertët të punojnë me kohë të plotë. Ndërsa suksesin e reformës zgjedhore, Oerd Bylykbashi, që jep ekspertizë për Kodin Elektoral, prej më shumë se 10 vjetësh, e sheh tek vullneti politik i Edi Ramës për t’i qendruar rekomandimeve të ODIHR-it.

“Diferencën do ta bëjë qëndrimi që do të ketë zoti Rama për çështje që ai mendon se janë të rëndësishme për të, por nuk janë rekomandime të ODIHR. Nëse Rama do të ketë vullnet politik, me mbylljen e këtyre rekomandimeve reforma do të jetë e suksesshme”, thekson Bylykbashi.

Reforma parlamentare, asnjë kompromis

Ndryshe nga reforma zgjedhore, ku deri tani nuk është konstatuar ndonjë bllokim në praktikë, për reformën e rregullores së Parlamentit, mund të thuhet e kundërta. Palët nuk i janë afruar aspak kompromisit, megjithëse kanë kaluar tre muaj që nga marrëveshja.

Sipas Partisë Demokratike, përgjegjëse është Partia Socialiste, e cila ka hedhur për diskutim amendamente që nuk i përfshin marrëveshja, ose siç thotë mazhoranca, janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Megjithëse i cilëson si provokative dhe bllokuese qëndrimet e socialistëve për reformën e rregullores, demokratët thonë se janë të hapur për konsensus vetëm në bazë të marrëveshjes së nëntorit.

“Një reformë parlamentare që nuk mund të jetë në kundërshtim me nenet e Kushtetutës, vendimet e Gjykatës së Lartë dhe rregulloren e PE. Jemi gati të trajtojmë çdo propozim të tyre, por s’ka asnjë amendim tjetër. Nëse do sillen amendime në shkelje me Kushtetutën, natyrisht që ato nuk mund të diskutohen”, ka deklaruar deputeti demokrat Jemin Gjana.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA