Ish-komandanti i trupave paramilitare serbe në Bosnje, Radko Mladiç, sulmoi Gjykatën e Krimeve kundër Njerëzimit në Hagë, duke e konsideruar procesin e nisur kundër tij si të paragjykuar dhe tendencioz.

Gjenerali Mladiç u arrestua një vit më parë në Serbi pas 16 vitesh i fshehur nga drejtësia. Mbi 69-vjeçarin rëndojnë 11 akuza për krime lufte, përfshi dy akuza genocidi. Megjithatë, Mladiç kundërshton të gjitha akuzat dhe vetkonsiderohet si i pafajshëm.

Duke folur në një seancë dëgjimore jozyrtare nga Haga, Mladiç e konsideroi gjykatën si një “nënstrukturë të NATO-s”.

“Po më gjykoni në emër të NATO-s dhe po më thoni se njerëzimit e mi dhe unë nuk kishim të drejtë të bënim këtë apo atë, ndërsa NATO po na bombardonte ditë pas dite”, vlerësoi gjenerali.

Ai u paraqit në seancë me disa fotografi të tij dhe familjes me një uniformë ushtarake, për të cilën u shpreh se “ishte krenar që e kishte veshur” dhe i kërkoi gjykatës që të lejohej bashkëshortja e tij që t’i sillte uniformën.

Gjyqi ndaj gjeneralit Mladiç do të rinisë në 14 maj, i shtyrë pasi avokatët e tij kërkuan më shumë kohë për të siguruar prova për mbrojtjen.

69-vjeçari konsiderohet si “arkitekti” i masakrës së Srebrenicës, ku 7 500 boshnjakë muslimanë u ekzekutuan brenda dy ditëve në korrik 1995. Gjithashtu, ai përballet edhe me akuza vrasjesh gjatë rrethimit 43-mujor të Sarajevës, nga maj 1992 në nëntor 1995.

Top Channel