Mbërrin në Atdhe trupi i Feti Voglit

24/02/2012 03:25

Rreth orës 03:00 të mëngjesit të ditës së premte, i mbuluar me flamurin kombëtar, ka mbërritur në aeroportin “Nënë Tereza” të Rinasit, trupi i komandos së vrarë në Afganistan, Dëshmorit të Atdheut, Kapiten Feti Voglit.

Në ceremoninë në aeroportin e Rinasit, përveç familjarëve, të pranishëm kanë qenë zyrtarë të lartë të Ushtrisë si dhe Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami.

Nga Rinasi, trupi i Feti Voglit u dërgua për në banesën e familjes së tij në fshatin Baldushk të Tiranës.

Homazhet për kapitenin e vrarë në Afgansitan do të kryhen gjatë ditës së premte në Pallatin e Kongresve.

Kapiten Feti Vogli, pjesë e trupave paqeruajtës të misionit të NATO-s në Afganistan, humbi jetën gjatë një sulmi në Kandahar, kur njësia e tij u qëllua ditën e hënë nga persona me uniformë të policisë afgane. Nga sulmi ku Vogli humbi jetën, mbeti i plagosur rëndë edhe një tjetër komando shqiptar, nëntetar Aleksandër Peçi.

Kush ishte Kapiten Feti Vogli?

Kapiten Feti Vogli, i lindur më 23, maj 1981, në fshatin Baldushk të rrethit të Tiranës, është i martuar dhe ka një vajzë 2 vjecare.

Pas mbarimit të Akademisë Ushtarake, në specialitetin Artileri Toksore u bë pjesë e Forcave të Armatosura, me detyrë komandant Toge në Brigadën e Stërvitjes të Bazës Bunavi.

Pas kryerjes me sukses të kursit Bazë të Forcave Speciale më datë 16.07.2005 është bërë pjesë e Batalionit të Forcave Speciale me detyrë Komandant Grupi.

Nga data 1.06.2010 kryente detyrën e komandantit të Grupit të Parë Special në kompaninë e Aksioneve Speciale Ujore.

Kapiten Feti Vogli ishte një ushtarak kariere i shkëlqyer dhe si rezultat i arritjeve në detyrë është dekoruar disa herë me medalje ndryshme si, Medalja e Karierës. Medalja për Shërbime Ndërkombëtare. Medalje për shërbime të Shquara nga ministri i Mbrojtjes në vitin 2010.

Nga data 16.012012 është dërguar me mison luftarak “EAGLE 4” në përbërje të Batalionit të Forcave Speciale në Kandahar të Afganistanit. 
 

Top Channel