Besnik Zykaj, i njohur ndryshe edhe si Bino Binaj, u vendos në pranga nga policia italiane, për llogari të drejtësisë shqiptare, që e ka dënuar me burgim të përjetshëm në mungesë për krime kundër njerëzimit.
49-vjeçari, në kërkim ndërkombëtar që prej vitit 2008 për akuzën e vrasjes, u prangos ndërsa u paraqit në Zyrën e Emigracionit për të kërkuar zgjatjen e lejes së tij të qëndrimit.
Në vitet 1990, ndërsa ishte komandant në një patrullë kufitare, ai hapi zjarr ndaj dy vëllezërve që po kërkonin të kalonin ilegalisht kufirin, duke vrarë njërin dhe plagosur rëndë vëllain e dytë.
Më pas, me dokumenta të falsifikuar arriti të arratisej dhe të jetonte për vite të tëra në Itali. Ndonëse ishte prej katër vitesh në listën e Interpolit, Zykaj bënte një jetë të qetë në vendin fqinj dhe sipas mediave italiane, u befasua nga arrestimi i ndodhur.
Në pritje të ekstradimit, 49-vjeçari ka të drejtë t’i drejtojë Gjykatës Italiane një kërkesë për të shfuqizuar zhvendosjen e tij në Shqipëri, ku e pret burgimi i përjetshëm.
Top Channel