Djegia e kuranit, ditë e zezë në Afganistan

24/02/2012 00:00

Mijëra afganë të inatosur mbushën të premten rrugët në mbarë vendin për të shënuar ditën e katërt të protestave ndaj djegies së Kuranit nga ushtarët amerikanë.

E sotmja konsiderohet si dita më e zezë e protestave, pasi deri tani janë janë regjistruar 12 persona të vdekur. Protestat janë zhvendosur përpara bazave ushtarake amerikane dhe selive diplomatike.

Mbi 20 persona janë vrarë gjithësej që nga nisja e protestave, përfshirë dy ushtarët amerikanë që u vranë të enjten nga një “koleg” afgan.

Presidenti Barack Obama kërkoi falje për incidentin. Në një letër dërguar homologut të tij Hamid Karzai, zoti Obama u shpreh se djegia e librave të shenjtë nuk ka qenë e qëllimshme.

Personeli amerikan i vuri flakën librave të Kuranit në bazën ajrore të Bagramit, në afërsi të Kabulit, disa ditë më parë, duke acaruar popullsinë vendase.

Shumica e vdekjeve të raportuara të premten janë regjistruar në provincën perëndimore të Heratit, e cila rrallë herë është përfshirë nga protestat.

Në këtë vend, një grup demonstruesish u përpoqën të sulmonin konsullatën amerikane, duke djegur makina policie dhe duke lënë të plagosur agjentë të shumtë.

Burime spitalore kanë konfirmuar se katër persona janë vrarë, por mënyra se si është e paqartë. Gjithashtu, katër persona të tjerë humbjen jetën në afërsi të qytetit të Adraskanit, 70 kilometra në jug të qytetit të Heratit.

Top Channel