
Kryeministri Berisha paraditen e së premtes zhvilloi një bisedë telefonike me nëntetar Aleksander Pecin, i cili ndodhet për një trajtim më të specializuar në spitalin ushtarak amerikan në Landstuhl, në Gjermani.
Siç njofton zyra e shtypit e Këshillit të Ministrave, kryeministri Berisha i shprehu Aleksandrit urimin e tij më të përzemërt, të qeverisë shqiptare dhe mbarë shqiptarëve, për shërim të shpejtë e të plotë dhe kthimin shëndosh e mirë në familje dhe atdhe.
Kryeministri shprehu gjithashtu mirënjohjen e thellë dhe krenarinë e tij, të qeverisë dhe mbarë qytetarëve shqiptarë për misionin fisnik të paqeruajtjes që Aleksandri dhe të gjithë oficerët, nënoficerët dhe ushtarët e tjerë po kryejnë në Afganistan, në kuadrin e Aleancës së Atlantikut të Veriut, me burrëri, profesionalizëm dhe dinjitet të veçantë.
Nëntetar Peci u transferua në Gjermani ditën e enjte, nën kujdesin e një grupi mjekësh që e kanë mbikëqyrur deri në mbërritjen në Landstuhl.
Fillimisht ai iu nënshtrua një operacioni kirurgjik në një spital të Kandaharit, në bazën ajrore të Bagramit, i cili përfundoi me sukses.
Menjëherë më pas, Ministria e Mbrojtjes njoftoi se gjendja shëndetësore e komandos së plagosur ditën e hënë në një shkëmbim zjarri ishte përmirësuar ndjeshëm.
Top Channel