3G, dështon tenderi për liçencën e tretë

24/02/2012 16:25

Ofertat e ulëta sollën dështimin e tenderit për liçencen e tretë të teknologjisë 3G. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka mbyllur brenda 60 minutave vlerësimin e ofertave në garën ku morën pjesë dy kompani celulare.

Dy kompanitë kishin dhënë oferta dukshëm më të ulta nga dyshemeja e kërkuar, çka mund të shihet dhe si një sinjal për të ulur çmimin për licencën 3G. Pavarësisht se vendimi ishte unanim, kompanitë kanë të drejtën të ankohen.

Ndërkohë, përmes një deklarate për shtyp, drejtori ekzekutiv i “Plus Comunication”, Moni Buchnik ka reaguar duke deklaruar se barrierat për hyrjen në treg duhet të jenë në raport të drejtë me çmimet e mundshme fundore të këtij shërbimi.

Sipas tij, një rikonsiderim i kësaj çështjeje në përshtatje me kushtet aktuale të tregut të telefonisë së lëvizshme nga autoritetet do të ishte zgjidhja më e mirë për tregun dhe konsumatorët.

Liçenca e parë 3G në Shqipëri u dha në tetor të vitit 2010, dhe AKEP në atë periudhë arkëtoi 31.4 milionë euro për të lejuar këtë shërbim. Ndërsa liçenca e dytë u dha në shtator të vitit të shkuar, ku dhe u paguan 15.1 milionë euro.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA