Partia Demokratike Shqiptare do të kërkojë përmes një projekt ligji që Parlamenti të shfuqizojë Ligjin për ratifikimin e marrëveshjes policore mes Serbisë dhe Maqedonisë.

PDSH konsideron se kjo marrëveshje e votuar edhe nga BDI është e dëmshme për shqiptarët pasi i mundëson policisë serbe të veprojë edhe në vendbanimet shqiptare në Maqedoni.

“Ky ligj është i menduar mirë, i punuar një kohë të gjatë dhe përmban 47 faqe. Me këtë ligj parashihet bashkëpunim policor që nënkupton bashkëpunim si një strukturë policore që nënkutpon shërbimet policore, strukturat sekrete të policisë serbe të mund të ndjekin, përndjekin, përgjojnë, të zgjidhin konflikte edhe pse nuk e dijmë se cfarë nënkuptojmë me këtë të zgjidhin konflikte në Maqedoni, policia serbe”, tha Imer Aliu, deputet i PDSH-së.

Deputeti i BDI-së, Talat Xhaferi i cili reagoi ndaj konferencës për shtyp të PDSH-së, tha se pohimet e kësaj partie lidhur me marrëveshjen për bashkëpunim policor me Serbinë nuk janë të vërteta.

“Është e drejtë ligjore por sygjerimi ynë është që PDSH fillimisht të ngrejë iniciativë për një ligj që do të shfuqizonte paraprakisht marrëveshjen Serbi-Maqedoni për përcaktim të vijës kufitare mes Maqedonisë dhe Serbisë me c’ka kanë vulosur kufijtë e Kosovës të nënshkruar me Koshtunicën”, reagoi Talat Xhaferi, deputet i BDI-së.

Ligji për ratifikimin e marrëveshjes për bashkëpunim policor mes Maqedonisë dhe Serbisë që u miratua javën e kaluar është shoqëruar me shumë polemika mes opozitës shqiptare dhe mazhorancës.

Top Channel