Serbia është duke shqyrtuar mundësinë që të mos mbajë zgjedhje lokale në Kosovë. Kjo do ta ndryshonte qasjen e saj ndaj institucioneve paralele, por edhe do të kishte efektin e bindjes së bashkësisë ndërkombëtare për gatishmëri në përmbushjen e disa kushteve për integrim.

Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Sllavica Gjukiç-Dejanoviç, ka deklaruar se realizimi i zgjedhjeve lokale në Kosovë është çështje delikate pasi Serbia ka obligim për bashkëpunim me ndërkombëtarët si pasojë e rezolutës 1244.

Ajo ka thënë se ka mundësi që zgjedhjet lokale të mbahen vetëm në disa bashki të Serbisë pasi një pjesë e tyre kanë pasur zgjedhje të parakohshme.

“Unë kam të drejtë që në bazë të Kushtetutës të shpall zgjedhje në tërë territorin, në vendet që nuk u ka kaluar mandati”, ka thënë Gjukiç-Dejanoviç.

Megjithatë, partia opozitare e ish-kryeministrit Vojisllav Koshtunica, duke cituar referendumin e serbëve të veriut, ka nisur një peticion për mbajtjen e zgjedhjeve serbe edhe në Kosovë.

Serbia duhet të ketë zgjedhje më së largu deri më 6 maj, ndërsa zgjedhjet në Kosovë janë mbajtur gjithmonë, por kësaj radhe do të ishin në kundërshtim me sugjerimet e disa vendeve të BE-së.

Top Channel