Zbulohet masë e re, sërish operacion për Chavez

22/02/2012 04:38

Presidenti i Venezuelës, Hugo Chavez do t’i nënshtrohet një operacioni tjetër, pasi mjekët gjetën një masë gjatë testimeve mjekësore në Kubë.

57-vjeçari ka kaluar dy operacione në Havana vitin e kaluar për të hequr një tumor kanceroz nga pelvisi(legeni) i tij, kur kishte bërë të ditur se ishte shëruar plotësisht.

Ai tha se masa ishte në të njëjtën zonë dhe ndoshta ishte malinje.

Chavez, i cili ka qeverisur Venezuelën për 13 vjet, është i gatshëm të rikandidojë për t’u rizgjedhur në tetor.

Ai e zbuloi lajmin e sëmundjes së tij në televizion ditën e martë.

“Në ekzaminimet në Havanë u zbulua një masë në të njëjtin vend ku ishte nxjerrë tumori pothuajse një vit më parë”, tha ai. “Kjo është një masë e vogël rreth 2 cm, shumë qartë e dukshme”.

Chavez tha se operacioni për të hequr masën do të bëhet në ditët e ardhshme.

“Unë jam në gjendje të mirë fizike për t’u përballur me këtë betejë të re”, shtoi ai.

Top Channel