Vidhet projekti ushtarak franko-britanik

22/02/2012 21:45

Një valixhe pune, në të cilën ndodheshin dokumentet e një projekti franko-britanik për ndërtimin e një avioni të telekomanduar, është vjedhur në stacionin Gare du Nord në Paris.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat franceze, sipas të cilave policia po ekzaminon një filmim të xhiruar me kamera me qark të shkurtër për të zbuluar se kush e kreu vjedhjen.

Ngjarja ka ndodhur më 2 shkurt por është publikuar vetëm këtë të mërkurë, kur dhe është zbuluar nga shtypi lokal.

Kryeministri britanik David Cameron diskutoi për projektin në fjalë me presidentin francez Nicolas Sarkozy, gjatë takimit të zhvilluar javën e kaluar.

Autoritetet e aviacionit francez deklarojnë se në dokumentet e vjedhura nuk ka pasur materiale të rëndësishme dhe se projekti kushtuar sigurisë nuk është në rrezik.

Por korrespondenti i BBC në Paris, Christian Fraser, deklaron se plani dypalësh për ndërtimin e dronit është më i madhi që kur dy vendet ranë dakord për të ndarë së bashku asetet ushtarake.

Sipas raportimeve të gazetës “Le Parisien”, valixhja u vodh kur një zyrtar i aviacionit luftarak francez po blinte një biletë treni dhe shkoi të ndihmonte një koleg që po bezdisej nga një person tjetër.

Kur zyrtari u kthye pranë sportelit për të marrë sërish valixhen e tij, ajo ishte zhdukur. Mendohet se zyrtarët francezë janë shpërqendruar qëllimisht nga personat e huaj.

Top Channel