Itali, gjenden trupa të rinj në “Concordia”

22/02/2012 16:45

Skuadrat e kërkimit kanë gjetur trupa të rinj në rënojat e kryqëzorit “Costa Concordia”, të fundosur në ujra të cekta pranë ishullit italian të Xhilios në 13 janar.

Lajmi u raportua të mërkurën nga mediat italiane. Trupi i pajetë i një 5-vjeçareje është gjithashtu midis të sapozbuluarve.

Megjithatë, për momentin është ende e paqartë se sa trupa janë gjetur. Në total, aksidenti i kushtoi jetën 32 personave, ndërsa 17 prej tyre janë rikuperuar më parë.

Zbulimi i këtyre viktimave u bë i mundur pasi skuadrat e kërkimit arritën të depërtonin në disa pjesë të përmbytura, ku nuk kishte akses më parë.

Sipas një prej udhëheqësve të operacioneve, për identifikimin e disa trupave mund të jetë i domosdoshëm testi gjenetik, për shkak të fazës së avancuar të dekompozimit.

“Costa Concordia”, një kryqëzor turistik me 4 200 persona në bord në momentin e aksidentit, u përplas me shkëmbinj nënujorë dhe u fundos në ujra të cekëta një muaj më parë.

Kapiteni i anijes, Francesco Schettino, përballet në gjykatë me akuzat e vrasjes nga pakujdesia dhe të braktisjes së mjetit në vështirësi, pa pritur që të gjithë udhëtarët të evakuoheshin.

Top Channel