Villas-Boas është drejt largimit nga Chelsea pasi humbja e pësuar përballë Napolit ka revoltuar më shumë se kurrë pronarin e klubit, Roman Abramovich.
Këtë raportonte shtypi anglez gjatë të mërkurës. Një eliminim nga Champions do të përbënte për Chelsea humbjen e mundësisë së fundit për të shpëtuar këtë sezon të dështuar, ku për herë të parë pas shumë vitesh vihet në diskutim edhe kualifikimi në kompeticionin elitar për sezonin e ardhshëm.
Rreshtimi i bluve në “San Paolo” u konsiderua nga mediat britanike si një “vetvrasje taktike”, ndërsa gjithashtu u vu në dyshim vendimi për të lënë jashtë formacionit Ashley Cole dhe Frank Lampard, si ndëshkim për faktin që e kishin kundërshtuar disa ditë më parë publikisht.
Nga ana e saj, “Daily Mail” sugjeronte që tashmë trajneri portugez nuk e ka më nën kontroll skuadrën e tij, e cila tashmë nuk e ka më problem të nxjerrë “të palarat” në media.
“Futbollistët e Napolit dukeshin se mund të shënonin gol sa herë që kalonin mesfushën dhe kjo jo sepse lojtarët e këtij ekipi janë më të mirët në botë”, shkruante “Times”, që komentonte me tone kritike edhe rënien e futbollit anglez në këtë sezon, ku për herë të parë pas shumë vitesh rrezikohet që asnjë skuadër e Premier League të mos jetë midis tetë më të mirave të Europës.
“Rrezikoi dhe humbi”, “qartësonte” së fundmi e përditshmja “The Indipendent” rreth fatit të Villas-Boas, duke u bashkuar edhe ajo kështu me të përditshmet e tjera që kanë rritur presionin mbi trajnerin.
Top Channel