Pasi eleminoi Mançester United në fazën e grupeve, Bazeli kërkon të bëjë një tjetër suprizë në Ligën e Kampioneve dhe pikërisht përballë Bajern Mynih.
Gjatë këtij sezoni bavarezët kanë fituar vetëm 1 nga 4 ndeshjet në transfertë, gjë shqetësuese kjo për trajnerin e zviceranëve i cili kërkon nga futbollistët e tij të vlerësojnë në maksimum kundërshtarin, një nga pretendentët kryesorë për finalen e majit në Allianz Arena.
“Barazimet e fundit të Bajernit nuk janë motiv për të menduar se kjo skuadër nuk është e niveleve ndërkombëtare, përkundrazi kjo duhet të na shtyjë të vlerësojmë më shumë kundërshtarin i cili është në çdo moment i rrezikshëm”, ka pohuar Vogel.
Lojtari i kësaj skuadre, Xherdan Shaqiri, ka theksuar se do të japë maksimumin në këtë ndeshje pavarësisht se sezonin e ardhshëm ai do të jetë pjesë e skuadrës gjermane. Pritet që mungesa e vetme për bavarezët të jetë Bastian Shvajnshtajger i cili vuan dëmtim në këmbë.
Ndeshja tjetër e mbrëmjes do të jetë ajo mes Marsejës dhe Interit që është në krizë rezultatesh. Trajneri Ranieri ka theksuar se e ardhmja e tij nuk varet nga kjo ndeshje.
“Kjo skuadër nuk është as e vjetër dhe as e sëmurë. Nuk ndihem në rrezik dhe nuk i kam kërkuar asnjëherë skuadrës të luajë për mua, i kërkoj gjithmonë të luajnë për ekipin. Shpresoj që kjo ndeshje të na shërbejë si kthesë për mirë”, ka përfunduar Ranieri.
Top Channel