Argjentinë, aksident hekurudhor, 49 të vdekur

22/02/2012 17:25

Të paktën 49 persona kanë vdekur në një incident të ndodhur të mërkurën në stacionin hekurudhor Once, në Buenos Aires të Argjentinës.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat ndërkombëtare, të cilat duke iu referuar autoriteteve lokale saktësojnë se numri i të plagosurve është rreth 600.

“Treni ishte plot dhe impakti ishte i tmerrshëm. U dëgjua një zhurmë shumë e fortë. Treni nuk ndaloi”, ka treguar një prej pasagjerëve që udhëtonte në një nga vagonet në mes të trenit.

“Ndodhesha në vagon. Xhamat u thyen, njerëzit ishin të dëshpëruar dhe kishte gjak e të plagosur gjithëandej. Më pas janë hapur me forcë dyert”, ka treguar ndërkohë një dëshmitar tjetër.

Sipas informacioneve të mediave të huaja, treni dhe vagonët e tij kanë hyrë në stacion me 26 kilometra në orë dhe duke mos arritur të frenojë ka përfunduar në një trotuar.

Ministri argjentinas i Transporteve, Juan Pablo Schiavi nuk e ka përjashtuar mundësinë që bilanci i viktimave të rëndohet në orët e ardhshme.

Sistemi i asistencës mjekësore dhe emergjencave po punon në vendin e ngjarjes, i ndihmuar nga 15 ambulanca dhe zjarrëfikës që po përpiqen të nxjerrin personat e bllokuar në dy vagonët e parë.

Bëhet fjalë për tragjedinë e dytë më të madhe të këtij lloji të ndodhur në vendin latin. Në shtatorin e vitit të kaluar në një incident hekurudhor në lagjen Flores, po në kryeqytetin argjentinas, 11 persona humbën jetën dhe 200 të tjerë mbetën të plagosur.

Top Channel