Shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar është takuar ditën e martë me përfaqësues të partisë së tretë më të madhe të Kosovës, Vetëvendosje.

Sipas raportimeve të “RTK”, Zhbogar ka zhvilluar një takim kokë më kokë me kryetarin Albin Kurti dhe disa nga zëvendësit e tij, të cilët i ka njohur me prioritetet e zyrës së tij.

Gjatë bisedës së zhvilluar, theksi është vënë tek çështjet që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, situatën ekonomike, negociatat me Serbinë dhe ndryshimet kushtetuese.

Mësohet se përfaqësuesit e lëvizjes Vetëvendosje u fokusuan tek nevoja e bashkëpunimit dypalësh me vendet e BE-së që e kanë njohur Kosovën.

Nga ana tjetër, ata kanë kundërshtuar marrëveshjet që sipas tyre qeveria e Kosovës po bën me Serbinë, si dhe kanë prezantuar objektivat e tyre politikë.

Në programin politik të lëvizjes së drejtuar nga Albin Kurti propozohen rrugë dhe mënyra për të dalë nga kriza aktuale politike dhe ekonomike, njofton më tej “RTK”.

Ditën kur mbërriti në Prishtinë, në një prononcim për mediat, Zhbogar deklaroi se do të jenë 3 prioritetet e misionit të tij, ku përveç integrimit janë edhe lufta ndaj krimit dhe korrupsionit.

Ndërsa përsa i takon çështjes së veriut, ai tha para pak ditësh se atë mund ta zgjidhin vetë qytetarët dhe institucionet e Kosovës, e cila sipas tij është në gjendje të vendosë vetë.

Top Channel