Pensionistët, personat me aftësi të kufizuara, ata me përkrahje sociale janë detyruar që faturën e ujit të pijshëm ta paguajnë bashkë me tarifën e pastrimit për muajin janar, ndonëse ligjërisht kjo kategori nuk është e përfshirë në këto detyrime.
“Pse duhet ta paguaj unë që kam burrin invalid dhe në këtë rast ligji është i qartë”, shprehet një pensioniste.
“Taksa e pastrimit duhet të hiqet ose detyrimi ynë të jetë më i vogël sepse pensionet janë të ulta”, thekson një pensionist.
Para janarit kjo kategori paguante vetëm 200 lekë tarifë pastrimi. Ndërkohë që fatura e janarit përcakton 420 lekë tarifë pastrimi në muaj për të gjithë. Familjarë të këtyre kategorive që përfitojnë nga lehtësirat janë drejtuar pranë zyrave të minibashkive ku tashmë u duhet të plotësojnë një dosje me disa dokumenta të nevojshme që do të dërgohen pranë ujësjellësit.
“Duhet një fotokopje e kartës së identitetit, një certifikatë familjare ku të përcaktohet nëse bashkëshortët janë pensionistë apo invalidë, fotokopje e librezës së ujit që na shërben neve për të marrë emrin në librezë dhe numrin e kontratës dhe këto do i dërgohen Bashkisë së Tiranës dhe Ujësjellësit”, shpjegon Bekim Murati, nënkryetar i minibashkisë numër 5.
Sipas drejtorit të ujësjellësit, Sahit Dollapi, kjo tarifë është vendosur në faturë në bazë të një marrëveshjeje me Bashkinë e Tiranës. Dollapi sqaron se presim dosjet e personave që përfitojnë nga Bashkia e Tiranës në mënyrë që faturat e muajve të ardhshëm të mos u shkojnë bashkë me tarifën e pastrimit.
Përsa i përket muajit janar, ku disa familje e kanë paguar, sipas Dollapit, duhet që Bashkia e Tiranës tu kthejë paratë pasi është tarifë që vilet për arkën e bashkisë.
Top Channel