Siri, Kryqi i Kuq kërkon armëpushim

21/02/2012 08:40

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq deklaron se është në bisedime me të gjitha palët e përfshira në konfliktin në Siri për të negociuar një armëpushim.

Grupi deklaron se dëshiron të negociojë një armëpushim në zonat më të nxehta për të lejuar shpërndarjen e ndihmave.

Korrespondentët e mediave ndërkombëtare deklarojnë se fakti se KNKK ka folur në publik për negociatat tregon se sa shqetësuese është situata në Siri.

Mijëra persona kanë vdekur në kryengritjet që zgjasin prej 11 muajsh ndaj qeverisë së presidentit Bashar al Assad, që refuzon të tërhiqet pavarësisht presionit të ndërkombëtarëve.

Zëdhënësi i KNKK, Bijan Farnoudi deklaroi se grupi po shqyrton mundësi të ndryshme për të mundësuar shpërndarjen e ndihmave humanitare.

Ai tha se synimi i bisedimeve është të arrihet një marrëveshje e shpejtë që t’u sigurojë KNKK-së dhe organizatave të tjera akses tek njerëzit në nevojë.

“Përmbajtja e bisedimeve që ne po zhvillojmë me autoritetet siriane dhe të gjitha palët e përfshira në konflikt mbetet bilaterale dhe konfidenciale”, deklaroi Farnoudi.

Kryqi i Kuq ka nënvizuar se çdo armëpushim do të zgjasë për një periudhë të kufizuar, ndoshta vetëm disa orë.

KNKK ka shpërndarë ushqime dhe ilaçe tek civilët në Siri që nga fillimi i protestave ndaj presidentit Bashar al Assad, i cili akuzon grupe kriminale të mbështetura nga Perëndimi për manifestimet.

Top Channel