Shanse të mëdha për gazsjellësin

21/02/2012 15:30

Shanset e Shqipërisë për tu përfshirë në rrjetin ndërkombëtar të gazit janë rritur fort ditën e martë të kësaj jave, kur Azerbajxhani njoftoi zyrtarisht se ka eleminuar projektin rival grek ITGI.

Konsorciumi që ka në pronësi fushën e gazit në Shah Deniz, tha se për shkak të krizës ekonomike që ka përfshirë Greqinë, projekti që mbështetet nga Athina nuk është më i besueshëm dhe nuk do të merret në konsideratë. Varianti grek ishte rivali kryesor i gazsjellësit transadriatik, projektit të vetëm që përfshin Shqipërinë në rrjetin ndërkombëtar të gazit.

Eliminimi i tij e vendos projektin shqiptar në linjën e parë për të fituar transportin e gazit azerbajxhanas në Europë. Sinjalet e para për këtë u dhanë që të martën, kur aksionerët e fushës së Shah Denizit thanë për Reuters se nëse do të zgjidhet rruga nga Turqia në Itali, projekti i tyre i preferuar është gazsjellësi që mbështet Tirana. Megjithatë gara mes gazsjellësve nuk ka mbaruar. Pas eleminimit të projektit grek, tashmë mbeten tre konkurrentë që lufojnë për të fituar transportin e gazit azer në Europë. Dy projektet e tjerë janë Nabucco dhe gazsjellësi i Europës juglindore.

Por të dy këto linja kalojnë nga Turqia direkt në Europën Qendrore duke lënë jashtë Italinë dhe Greqinë. Kjo do të thotë se varianti i vetëm që kanë tani Athina dhe Roma për të qenë pjesë e rrjetit të gazit është t’i bashkangjiten projektit që mbështet Tirana. Vendimi final se cili projekt do të fitojë pritet të merret shumë shpejt, para fundit të marsit.   

Gjurma e projektit transadriatik, me gjatësi 800 kilometër, nis në Komotini të Greqisë, afër kufirit me Turqinë. Gazsjellësi përshkon mespërmes Shqipërinë dhe nga kanali i Otrantos përfundon afër San Focas në Itali.  Ky projekt mbështetet nga tre kompani të fuqishme në fushën e energjetikës: norvegjezja Shtatoil, zvicerjanja EGL dhe gjermanja E O N Rurgas. Kritikët thonë se dizavantazhi i këtij projekti është se i mungojnë marrëveshjet ndërqeveritare mes qeverive të tre vendeve përmes të cilave ai kalon që janë ajo e Greqisë, Italisë dhe Shqipërisë.

Megjithëse në vitin 2009 Italia dhe Shqipëria e kanë përfshirë në një marrëveshje. Por tashmë Athina dhe Roma nuk kanë rrugë. Në një deklaratë të përbashkët ministrat e energjisë së dy vendeve njoftuan se janë tërhequr nga mbështetja e variantit grek, çka rrit shanset që këto vende t’i bashkohen projektit shqiptar duke lehtësuar marrëveshjet.

Gjithashtu shanset e Shqipërisë rriten edhe nga fakti se Nabucco, projekti tjetër rival konsiderohet tashmë nga analistët si më i dobëti në garë, ndërsa projekti tjetër, ai i Europës juglindore penalizohet nga kostoja shumë e lartë.  

Një javë më parë kryeministri shqiptar Sali Berisha ishte për një vizitë zyrtare në Azerbajxhan ku sipas njfotimit të zyrës së tij, gazsjellësi ka qenë një nga pikat kryesore të bisedimeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA