Grupi i komandove shqiptarë ka pasur në krye kapitenin tashmë dëshmor të atdheut Feti Vogli. Prindërit e tij banojnë në një shtëpi modeste në lagjen Ballë të fshatit Baldushk.
Shtëpia aktuale e kapitenit ndodhet në Kinostudio, por të gjithë familjarët ndodhen në Baldushk. Një grup i forcave speciale duken më të pikëlluarit. Janë kolegë të kapiten Voglit që shkojnë t’i bëjnë homazhet e tyre shokut që ra një ditë më parë. Largohen të përlotur.
Djali i Bedri Voglit ka lindur në vitin 1981. Gjithë jetën e tij ia kishte kushtuar ushtrisë. Uniforma e bënte shumë krenar. Në vitin 2007 u njoh me atë që do të bëhej gruaja e jetës së tij, Elva, e cila tashmë qan bashkëshortin në njërën prej dhomave në pritje të trupit të tij. Po atë vit karriera e tij do të kurorëzohej me disa medalje për shërbime të shquara.
Ngashërimat e nënës, motrës dhe gruas së Feti Voglit dëgjohen që nga rruga. Një mjek i ushtrisë qëndron në gjendje gadishmërie pasi shëndeti i të moshuarës është rënduar pasi mori lajmin e humbjes së djalit 31-vjeçar.
Florenc Vogli përpiqet disa herë të flasë, por lotët ia bëjnë të pamundur. Tashmë mbesa e tij Egi, vetëm 3 vjeç, do të rritet pa babain e saj ushtarak. Nuk ishte misioni i tij i parë, por rreziku ndodhej në pritë nga ata që duhej të ishin shoqëruesit e tyre. Nuk mund të ngushëllojë as fakti që personat e veshur si policë afganë janë arrestuar të tërë. Feti Vogli dhe Aleksandër Peci janë goditur sepse ishin në vijën e parë.
Para pak ditësh Florenc Vogli kishte komunikuar me të vëllain: “Me mua ka folur para 10-12 ditësh në telefon. Ishte shumë i qetë, si gjithmonë. Ai është futur para 10 vitesh në ushtri dhe gjithmonë e ka pasur me shumë pasion. Ka qenë shumë i shoqërueshëm dhe unë kam pasur marrëdhënie të shkëlqyera me të.”
Xhaxhai i tij ka vetëm dhimbje dhe krenari, ashtu si të gjithë njerëzit që gjenden në shtëpinë e Voglit. Burrat fshihen ku të munden që të qajnë njeriun e tyre që nuk është më.
“Kishte katër vite i martuar dhe ka një vajzë 3 vjeç. E mora vesh lajmin në katër e gjysmë, por më thanë që është plagosur. Pas gjysmë ore erdhën këta të ushtrisë”, shprehet xhaxhai.
Ky ishte misioni i tij i fundit, por bashkë me karrierën u ndërpre jeta e një kryefamiljari i cili ishte pika e referimit për shumë njerëz.
Dje, Bedri Voglit i kanë komunikuar që i biri ra si hero.
Familjarët luten për shëndetin e Pecit
Aleksandër Peci kishte 34 ditë në Kandahar. Ishte misioni i tij i parë ndërkombëtar. 24-vjeçarin e priste e fejuara në Shqipëri së bashku me familjarët e tjerë.
Dera e shtëpisë së tij u hap dje për mort. Pas dy orësh që e qanin për së gjalli, si në më të pabesueshmen mrekulli, kjo shtëpi në Bathore merr lajmin që djali i tyre ishte ende gjallë.
Janë shpërngulur nga fshati Lekbibaj i Tropojës në kërkim të një jete më të mirë. Në Bathore Aleksandri kreu edhe shkollën e mesme e menjëherë më pas u fut në ushtri. E dashuron uniformën. Në dhomën ku ndodhen gratë e fisit është edhe e fejuara e tij, e cila e priste njeriun e zemrës për të lidhur kurorë bashkë. Paratë që do të merrte nga ky mision do të shpenzoheshin për dasmë këtë vit.
Snajperi 24-vjeçar ka marrë tre plumba me armë të rënda, është plagosur në zona delikate e megjithatë, siç e ka profesion, po lufton për jetë a vdekje.
Xhaxhai i tij është i pari që gjen guximin të flasë. Zakoni e do që të mos qajë, por fjalët janë lidhur në grykë, sikur duan të mos ndjellin ters për shëndetin e komandos.
“Hapa televizorin si gjithmonë duke parë lajmet dhe u trondita shumë. Fillimisht e menduam të vdekur sepse ashtu ishin njoftimet më pas erdhi Komanda dhe na tha që jeton akoma. Na u duk mrekulli dhe u qetësuam për momentin”, thotë xhaxhai.
Motra e madhe dhe vëllai i Aleksandër Pecit ndodhen në Greqi e Itali. Pritet që të vijnë nga momenti në moment. Motra tjetër dhe nëna e tij janë pothuajse në gjendje shoku.
Jak Peci, babai krenar dhe i shqetësuar, na tregon jashtë kamerës për pasionin e të birit për ushtrinë. Pret djalin që të kthehet se kanë programuar dasmë në korrik.
Nëntetar Peci po transportohet drejt bazës së Ramshtajnit në Gjermani. Jaku kujton që i kishte thënë të mos shkonte në Afganistan, por ai e kishte ndarë rrugën e tij.
Në atë pusi të tmerrshme në Kandaharin e largët gjeti vdekjen kapiten Vogli, por mitralozi kapi edhe pjesëtarin më të ri të grupit. Ata që duhet t’i shoqëronin i prenë në besë. Në familjen Peci shohin me dëshpërim për lajme të reja, presin me ankth telefonatën që do i zhysë në dëshpërim ose do i ngrejë në qiell nga gëzimi.
Më në fund Jak Peci arrin të thotë dy fjalë: “Ka qenë një natë e zorshme, por kemi shpresë. Kur erdhi lajmi tjetër që djali ishte gjallë nuk e besova.”
Top Channel