NATO ka nisur procesin e gjatë të dorëzimit të sigurisë tek forcat afgane. Provinca e parë që kaloi në kontrollin e tyre ishte Bamijan, duke i hapur kështu rrugën tërheqjes se “ndërkombëtareve” nga Afganistani.
Kjo do të ndodhë plotësisht në 2015. Por a janë gati afganët të ruajnë sigurinë e tyre? Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të udheheqin vendet e tjera të NATO-s. Presidenti amerikan, Barak Obama, tha se trupat e mbetur, rreth 68 mijë, do të tërhiqen nga viti 2013.
Britania e Madhe, kontribuesi i dytë më i madh i NATO-s, do të tërhiqet në 2015, ndoshta edhe më herët nëse e lejojnë kushtet. Franca do të kthejë në atdhe 4000 trupat e saj, 1000 pritet të mbërrijnë në fund të këtij viti. Gjermania që garanton kontingjentin e tretë për nga madhësia deklaroi se po harton tërheqjen e 5000 trupave.
A është i suksesshëm ISAF?
Pas deklaratës së presidentit amerikan Barak Obama për tërheqjen e trupave në vitin 2010, pati një rënie të viktimave në radhët e trupave nga 711 në 2010 në 260 në 2011. Megjithëse është shënuar progres në Helmand dhe Kandahar, ku NATO ka një forcë më të vogël, ato mbeten dy provinca të paqendrueshme. Këtu ka një përqendrim të talebanëve e kombinuar me shtimin e grupeve militante nga Azia Qendrore, siç është Lëvizja Islamike e Uzbekistanit.
Cfarë bën ISAF?
Misioni ISAF-it me kontribues të madh SHBA-në dhe 50 vende është të reduktojë sulmet e militantëve, të mbështese rritjen e aftësisë të trupave të sigurisë afgane dhe t’i hapë rrugën përmirësimit në qeverisje dhe zhvillimit socio-ekonomik në Afganistan. Përparësia e ISAF-it është të trajnojë ushtrinë dhe policinë afgane përpara tërheqjes. Me 2 miliardë dollarë në javë, operacioni është një shpezim i madh burimesh për SHBA-në.
Dhuna
Viktimat në radhët e civilevë janë në nivelet më të larta prej shembjes së regjimit të talebanëve. Gjashtë muajt e parë të 2011 ishin më të përgjakshmit për afganët, prej nisjes së luftës në vitin 2001. Shumë njerëz humbën jetën nga shpërthimet e bombave të vendosura në rrugë nga talebanët. Jetët e humbura në radhët e koalicionit janë shtuar prej 2005, 2010 ishte viti më i përgjakshëm e maji i 2011 muaji më i përgjakshëm. Bomba dhe snajpera janë përdorur për të vënë në shënjestër ushtarët ndërkombëtarë. Me shtimin e viktimave në radhët e trupave të huaja janë shtuar edhe debatet në SHBA, Britaninë e Madhe dhe vendet europiane për angazhimin e ushtrive të tyre.
Ushtarët e huaj ndodhen atje vetëm për të luftuar?
Gjeneralet e ISAF-it thonë se zhvillimi pa siguri është i paarritshëm dhe siguria pa zhvillim është i pakuptimtë. Ata thonë se misioni në Afganistan është për të sjellë paqe dhe stabilitet afatgjatë. Nëse detyra e ushtrisë është të sigurojë vendin, kërkon gjithashtu paralelisht rindërtimin dhe zhvillimin. Në disa zona ISAF-i është më i angazhuar në ruajtjen e paqes apo rindërtimin dhe jo në luftime. Aktivitetet e saj janë: rindërtimi i shkollave dhe spitaleve të dëmtuara, furnizimi me ujë, riparimi i infrastrukturës së dëmtuar dhe mbështetje në qeverisjen lokale.
A janë ende të fortë talebanët?
Talebanët dhe aleatët e tyre njohin vetëm hakmarrjen pas shpartallimit të regjimit të tyre në 2001, pra e thënë thjeshtë kërcënimi më i madh për qeverinë afgane. Besohet se militantët janë rreth 20 mijë. Megjithë numrin e vogël dhe shtimit të numrit të trupave ndërkombëtare, talebanët kanë zgjeruar ndikimin e tyre në pjesë të mëdha të Afganistanit. Pra, NATO e ka kuptuar që ushtarakisht e ka të pamundur fitoren. Në fillim të këtij muaji u mësua se zyrtarët amerikanë kishin vendosur kontakte me talebanët, që siç shihet do të thonë fjalën e tyre në të ardhmen e vendit.
Pavarësisht kësaj panorame, afganët janë optimistë. Të paktën kështu është dëshmuar në sondazhet e kryera nga BBC, ABC NEWS dhe televizioni gjerman ARD.
Digjet Kurani në bazën e NATO-s
Komandanti amerikan i trupave të NATO-s në Afganistan ka kërkuar falje pas lajmeve se trupat aleate kanë përdhosur disa kopje të librit të shenjtë të Kuranit.
Në një deklaratë, gjeneralin John R Allen urdhëroi një hetim të plotë të ngjarjes. “Kur mësuam për këto veprime, ne menjëherë ndërhymë dhe i ndaluam ata”, tha Allen.
Lajmet se një kopie e Kuranit u dogj nga trupat aleate çoi në protesta të gjera jashtë bazës ajrore amerikane në Bagram, në rrethinat e Kabulit.
Policia lokale deklaroi për BBC se rreth 3 mijë persona po merrnin pjesë në demonstratë dhe se një grup pleqsh hynë në bazë për të biseduar me krerët e misionit të NATO-s.
Agjencia Islamike e Shtypit me bazë në Pakistan ka raportuar se protestuesit kanë shkaktuar një zjarr të madh përpara pistës ajrore.
Në deklaratën e tij, gjenerali Allen tha se gjatë proçesit hetimor do të ekzaminohen nëse trupat në bazën ajrore të Bagramit përdhosën disa objekte fetare islamike, përfshirë edhe librin e Kuranit.
“Materialet e mbledhura do të dorëzohen tek autoritetet fetare. Ne po hetojmë incidentin dhe po marrim hapat e duhur që kjo të mos ndodhë kurrë më. Ju premtoj. Kjo ngjarje, gjithësesi, nuk ishte e qëllimshme”, deklaroi Allen.
Një ngjarje tjetër e ndodhur së fundmi që acaroi autoritetet dhe popullin afgan ishte ajo e marinsave amerikanë që urinonin mbi trupat e talebanëve të vrarë.
Top Channel