Mercedes GP prezanton makinën e re

21/02/2012 00:00

Në pistën spanjolle të Montmelos, Mercedes GP prezantoi të martën makinën e re W03. Michael Schumacher dhe Nico Rosberg ishin pilotët që zbuluan “armën” e tyre për sezonin 2012 të Formulës 1.

“Është një makinë që shpresoj se do të arrijë rezultate të mira në pistë sepse kemi punuar shumë për të”, thekson Ross Brawn, shefi i skuderisë.

Shtatë herë kampioni i botës, Michael Schumacher, tha: “Do të fillojmë që sot punën për të qenë kompetitivë. Në javët e ardhshme do të shohim se sa kemi ecur para, por mund të them që njerëzit e fabrikës kanë punuar shkëlqyeshëm.”

Edhe Nico Rosberg është shprehur i kënaqur me makinën e re: “E kam provuar këtë makinë dhe më duket shumë e mirë. Është bërë një punë e mrekullueshme.”

Kampionati botëror i Formulës 1 do të nisë më 18 mars me garën e Melburnit, në Australi.

Top Channel