Me betimin për flamurin shqiptar, komandot shqiptare u nisën drejt Afganistanit mes të cilëve edhe kapiten, Feti Vogli. Misioni luftarak është pjesë e jetës së tyre…
Shokët e armës kanë ngushëlluar familjen e kapiten Voglit në Baldushk. Dhimbja për shokun e rënë në detyrë shihet qartë në fytyrat e tyre. Përtej ndalimit të komenteve për luftën në Afganistan, ata shprehin vetëm hidhërimin që i përshkon.
“Është një humbje e madhe për ne. Kemi punuar bashkë”, thonë ata.
Për një pjesë të madhe të miqve, fqinjëve, shokëve dhe mësuesve, kapiten Vogli është heroi i tyre.
“Ai tregoi në Afganistan se kush janë shqiptarët! Flamuri shqiptar sot ndrit në gjakun e tij! Jemi krenar që e kemi bashkëfshatarin tonë”, thotë xhaxhai i Fetiut.
Por Familja e kapiten Voglit shoqërohet nga kuja e zakonit shqiptar. Njeriu që lëviz më tepër në shtëpinë e familjes Vogli është një mjek ushtarak që herë pas here u bën qetësues grave të kësaj shtëpie të zhytur në dhimbje dhe hidhërim.
Në mes të lotëve vëllai i tij tregon se lajmin e kobit e mësoi fillimisht nga media. Lajmërimi ushtarak mbërriti më vonë se lotët të fillonin në këtë shtëpi.
“Lajmin e morëm vesh mbrëmë në darëk. Unë isha në punë dhe më mori babi në telefon, nuk më tha asgjë, vetëm më tha hajde në shtëpi. Erdha në shtëpi. Ata më duket se e kishin marrë vesh nga mediat. Herën e fundit e kam takuar para se të ikte. Ka patur shumë dëshirë të ishte komando”, thotë i vëllai i “Dëshmorit të Atdheut”, Feti Vogli.
Shtëpia ndodhet në një zonë të varfër të Baldushkut, që këtej e tutje do të jetë zona e heroit të luftës. Familja jeton në kushte të vështira ekonomike dhe duket se varfëria ka qenë një arsye më shumë që kapiten Vogli të rrezikonte deri jetën e tij për të përmirësuar atë të një familjeje të tërë.
Top Channel