Partitë opozitare në Kosovë janë duke diskutuar hapat për të kundërshtuar idenë që Kosova të prezantohet me futnotë në nismat rajonale. Se çfarë do të jetë forma e kundërshtimit, thirrja e ndonjë interpelance për kryeminstrin Thaçi, apo ndonjë mocion që kundërshton përfaqësimin e Kosovës me futnotë, mbetet për t’u parë

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri dhe Shefi i Grupit të Vetëvendosjes, Visar Ymeri kanë biseduar mbi këtë shqetësim sic thonë ata të përbashkët dhe se si do të kundërshtohet prania e 1244-ës në futnotë.

Ky takim u thirr nga Lëvizja Vetëvendosje me një letër drejtuar kryetarit te LDK-së Isa Mustafa dhe Shefit të Grupit Parlamentar Ismet Beqiri, e në të cilën situata cilësohej si e rëndë, aq sa duhet të vihen në veprim sipas VV, institucionet e Kosovës dhe sidomos Kuvendi.

Në letrën e siguruar nga TCH, shkruhet se “ky qëndrim i Kryeministrit të Kosovës duhet të tërhiqet dhe të mos bëhet vendim i Qeverisë së Kosovës. Dhe për këtë duhet që opozita duhet të angazhohet maksimalisht”.

Në takim u thirrën edhe krerë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Ndërkohë, zoti Beqiri konfirmoi për Top Channel se takimi në lidhje me letrën është zhvilluar në mjediset e Kuvendit vetëm me Shefin e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes Visar Ymeri. Gjithsesi Ymeri dhe Beqiri konfirmuan se nga takimi nuk ka rezultate konkrete. Ngjashëm janë deklaruar edhe në AAK.

Gjatë së hënës partitë opozitare e kanë kundërshtuar publikisht deklaratën e kryeministrit Hashim Thaçi që Kosova të përfaqësohet në nismat rajonale me futnotën në të cilën përfshihet edhe Rezoluta 1244.

Top Channel