Komisioni i ligjeve miratoi sërish me konsensus disa ndryshime të tjera në Kodin Penal që kishin mbetur pezull nga ditët e mëparshme, si dhe zgjeroi kapitullin me krimet kundër zgjedhjeve me propozimet që erdhën, po me konsensus, të premten nga komisioni dypalësh i reformës zgjedhore.
Nisur nga mangësitë e vëna re gjatë dy proceseve të fundit elektorale, demokratët dhe socialistët kanë rënë dakord për rreptësimin e veprave penale ndaj zgjedhjeve. Ata kanë vendosur në Kodin Penal kategorizimin e këtyre veprave, duke i detajuar me kujdes këto vepra, që në shumicën dërrmuese të rasteve nuk do të denohen më me gjobe, por me burg, duke nisur që nga falsifikimi i dokuemtave zgjedhore, mbushja e kutive të votimit, braktisja e detyrës, blerja e votës, manipulimi i listave zgjedhore apo detyrimi i administratës apo nxënësve për të marrë pjesë në aktivitete elektorale.
Të gjitha këto masa ndëshkuese, tregojnë në thelb mosbesimin me të cilin partitë politike hyjnë në zgjedhje dhe me përfshirjen në Kodin Penal të këtyre veprave po përpiqen të parandalojnë dhe minimizojnë ndikimet e paligjshme në procesin elektoral.
“Këto masa synojnë të forcojnë sanksione penale për disa vepra që janë momentalisht në kod dhe parashikimin e disa veprave të tjera. Mendojmë që këto ndryshime janë të domosdoshme duke parë atë që ka ndodhur në zgjedhjet e kaluara”, u shpreh Armando Subashi, deputet i Partisë Sociale.
Megjithë mbledhjen maratonë që zgjati mbi tre orë, Komisioni i Ligjeve nuk mbylli të gjitha ndryshimet në kodin penal. Kanë mbetur ende pa u diskutuar disa amendamente nga mazhoranca, opozita dhe shoqëria civile për dhunën në familje, si dhe disa propozime delikate të bëra publike nga opozita, që kanë të bëjnë me hetimin e zyrtarëve të lartë pas lënies së detyrës, por që ende nuk janë depozituar zyrtarisht në Komisionin e Ligjeve.
Top Channel