Itali, arrestohen 9 terroristë turq

21/02/2012 09:55

Policia italiane ka arrestuar nëntë anëtarë të një celule terroriste e varur nga lëvizja turke Hezbollah, që nuk ka asnjë lidhje me grupimin libanez.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat italiane, sipas të cilave turqit e arrestuar akuzohen për favorizim të emigracionit klandestin.

Në kuadër të hetimeve janë kryer edhe rreth 40 kontrolle. Arrestimet janë kryer nga policia e qytetit të Ternit dhe nga Shërbimi Qendror i Antiterrorizmit, nënvizojnë burimet mediatike.

Hetimet mbi këtë grup nisën pas arrestimit në rajonin e Lombardisë të një shtetasi turk, mbi të cilin ishte lëshuar një urdhër-arrest ndërkombëtar për terrorizëm.

Duke hetuar mbi personin në fjalë, hetuesit arritën të depërtonin tek një strukturë kriminale, tërësisht operative, e përbërë nga anëtarë të Hezbollahut turk.

Organizata, sipas detajeve të zbuluara gjatë hetimeve, sillte në Itali klandestinë kurdë dhe palestinezë me dokumente falso që u mundësonin atyre kërkesën për të kërkuar azil politik dhe leje qëndrimi.

Hezbollahu turk, një sekt islamik sunit, ka lindur në fillim të viteve ’80 me qëllim krijimin e një shteti islamik të bazuar tek ligji i Sharias, në territorin e Republikës Turke.

Top Channel