Një delegacion i FMN-së po qëndron në Kosovë për të çuar në fund marrëveshjen e monitorimit, mbi të cilën është rënë dakord me qeverinë Thaçi.

Zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Muharrem Shahini, ka deklaruar se Prishtina zyrtare është optimiste se me bisedimet e sotme do t’i hapet rrugë një programi të ri të ndihmave për Kosovën.

“Shpresojmë se do të marrim vlerësime pozitive sa i përket qëndrueshmërisë fiskale, pasi edhe vlerësimi që është kryer gjatë nëntorit të vitit të kaluar ka qenë pozitiv. Në këtë mënyrë do të hapet mundësia për arritjen e programit të ri dhe përfitimit të fondeve nga ky mision”, ka deklaruar Shahini për “REL”.

Marrëveshja 18-mujore e quajtur “Stand By Arrangement” ishte arritur mes ekzekutivit të Kosovës dhe FMN-së dhe ishte miratuar nga Bordi Ekzekutiv i Fondit në korrik të vitit 2010, por ishte ndërprerë një vit më vonë.

Atëherë, zyrtarë të FMN-së në Kosovë deklaruan se, zbatimi me sukses i këtij programi do të ndihmonte në krijimin e një mekanizmi përcjellës të menaxhimit fiskal, që mund të shtronte rrugën për rishikimin e ndihmës financiare nga FMN në vitin 2012.

Top Channel