Në takimin e dhjetë të Këshillit Ndërministror për Integrim Evropian, kryeministri Hashim Thaçi tha se në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës nuk do të vihet në pikëpyetje.

“Përfaqësimi rajonal i Republikës së Kosovës dhe rregullimi i brendshëm kushtetues i Republikës janë dy gjëra të ndara”, sqaroi kryeministri.

“Kosova do të përfaqësohet edhe në marrëdhëniet rajonale me Deklaratën e Pavarësisë të 17 shkurtit 2008, opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që konfirmon ndërkombëtarisht shtetin e Kosovës, që bazohet në dokumentin e presidentit Ahtisaari, do të përfaqësohet edhe me Rezolutën 1244, që njeh dhe garanton integritetin territorial të Kosovës dhe siguron prezencën e NATO-s në Kosovë, pra Kosova do të përfaqësohet si e barabartë dhe si shtet”, u shpreh Thaçi.

Sipas Thaçit, të gjithë ata që pretendojnë të vënë sot dilema, kanë një qëllim të kundërt, Kosovën e izoluar, anti-evropiane dhe anti-amerikane. Kjo nuk do të ndodhë.

Më tej gjatë këtij takimi kryeministri kosovar tha se në bashkëpunim me Komisionin Evropian, pritet që udhërrëfyesi t’i dorëzohet qeverisë së Kosovës gjatë muajve në vijim.

Top Channel