Një shkrirje e papritur e akullit ka futur në kaos lumin Danub, në degën që kalon në kryeqytetin serb, Beograd, ku akulli ka dëmtuar varka, mjete të tjera lundruese dhe restorante buzë lumit.

Akulli i hollë mbuloi një nga rrugët ujore më të rëndësishme të Evropës gjatë acarit të fundit që ka përfshirë kontinentin e vjetër, por filloi të thyhej ditën e diel, teksa temperaturat filluan të ngriheshin.

Në Beograd, varkat u përplasën me njëra-tjetrën por për fat të mirë nuk ka pasur raportime për viktima.

Pronari i një varke ka deklaruar se akulli lëvizi aq shpejt, saqë varkat nuk mund të shpëtoheshin. “Dëmet e shkaktuara arrijnë në qindra mijëra euro”, ka thënë Dragan Jovanoviç.

Ndërsa një pronar tjetër, Mihailo Svilariç tha për agjencinë e lajmeve “Reuters” se vetëm një numër i vogël varkash shpëtuan pa u përplasur, nga rreth 100 që ndodheshin në lum.

Copa të shumta akulli u krijuan nga thyerja e ngricës që arrinte deri në disa qindra metra përgjatë lumit dhe shumë restorante lundruese dhe varka pasi u përplasën u ankoruan buzë lumit.

Mediat lokale raportuan se shërbimet e emergjencës në Beograd deklaruan se akulli nuk rrezikon urat dhe infrastrukturat e tjera të qytetit dhe se nuk përbën rrezik për përmbytje.

Top Channel