Më shumë se kudo në shtëpinë e Aleksandër Peçit, sekondat ja lënë vendin njëra-tjetrës në mënyrë të ankthshme, pas një lajmi të keq se Aleksandri kishte ndërruar jetë erdhi një lajm më i mirë, se ai është në vdekje klinike. Të gjithë janë në ankth dhe presin.
Fillimisht dyert e familjes Peçi u hapën për mort. Zija në këtë shtëpi zgjati pak orë derisa sërish autoritetet lajmëruan se 24 vjecari, pjesëtar i batalionit të forcave speciale po lufton me vdekjen dhe nuk ka ndërruar jetë.
Pas kësaj heshtja u përzje me shpresën, duke bërë që koha mes familjarëve dhe miqve të Aleksandrit të ecë në mënyrë të tmerrshme dhe të dhimbshme. Secili prej tyre sapo hyn në shtëpi të pyesin plot shpresë nëse ke lajm nga Kandahari dhe c’po thonë nga Ministria e Mbrojtjes.
Burrat rrinë në oborr. Ndërsa i zoti i shtëpisë, babai i Aleksandrit , Jak Peci në momentet më të vështira si baba dhe burrë, i përcjell disa shokë ushtarakë të Aleksandrit që kanë ardhur për të përcjellë forcë sic e do zakoni deri në derën e shtëpisë.
Për ata që sjellin lajme për gjendjen e Aleksandrit shtëpia nuk mjafton. Të tjerët dëgjojnë e presin përtej dritares. Disa vijnë dhe disa ikin për të marrë atë lajm që i mbush me shpresë.
“E kishte ëndërr të shkonte në Afganistan pasi ishte shumë i përgatitur dhe i dhënë pas atij zanati. Unë nuk kam komunikuar me të, vetëm disa ditë para se të ikte”, thotë Edison Jella, shok i Aleksandrit.
“E kemi cunin më të mirë të lagjes, ishallah ka jetë të gjatë”, uron një fqinj.
Kjo është nata më e gjatë në familjen Peci. Dhe jo vetëm! Të gjithë i kanë sytë në Kandahar.
Top Channel