Ndërtimi i xhamisë së madhe në kryeqytet do të vendoset nga një komision i ngritur posacërisht për këtë projekt.
Në krye të tij është Kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha dhe kryetari i komunitetit musliman, përfaqësues nga Prefektura dhe Këshilli i Qarkut, shoqata Tirana e të tjerë.
Kreu i komunitetit Musliman, Selim Muca tha se më parë duhet të mendojmë që xhamia e Tiranës të jetë xhami e Ballkanit, e ndërtuar me materiale ndërtimi bashkëkohore, me dy kate nëntokësore parking, me salla për faljen, por edhe për mbledhje dhe për grumbullimin e besimtarëve në raste festash.
Ndërsa kryetari Basha tha se bashkia ka vullnetin për t’i dhënë fund këtij problemit të besimtarëve muslimanë.
“Vullneti për ta përfunduar këtë vepër që i mungon qytetit të Tiranës, është i plotë. Synimi i ngritjes së komisionit është vendimarrja e gjithë aktorëve të përfshirë në këtë projekt” tha Kryetari i Bashkisë, Lulëzim Basha.
Në mbledhjen e parë të këtij komsioni u vendos ngritja e një grupi pune i cili do të përgatisë propozimet për vendimarrje, të cilat përfshijnë propozimin për vendin ku do të ngrihet xhamia, nëse do të bëhet një projekt i ri apo do të zhvillohet një tjetër konkurs.
Kryetari i Bashkisë kërkoi që brenda muajit mars të përmbyllet faza e konsultimeve dhe e diskutimeve.
Top Channel