Sadiku: Preferoj të shënoj golat që vlejnë

18/02/2012 00:00

Armando Sadiku, i thirrur së fundmi nga tekniku italian i Kombëtares
shqiptare, 55-vjeçari Xhani De Biazi, përgatitet për të rifilluar
kampionatin e kategorisë së dytë në Zvicër, me po ato ambicie që mbylli
fazën e parë.

“Është e vërtetë, nuk kam shënuar, por nuk përbën asnjë problem. E rëndësishme është të shënosh në kampionat, pra aty ku ka më shumë vlerë. Jam i qetë dhe i përqendruar tek objektivi ynë, që është mbijetesa”, u shpreh Sadiku. Lokarno e tij do të luajë në fushën e vet ndaj Kiasos, një ndeshje derbi, e cila në fazën e parë u vendos pikërisht nga një gol i sulmuesit shqiptar. Veçse Sadiku nuk arriti të shënonte gol gjatë fazës përgatitore dimërore, ndeshjeve miqësore që u luajtën, por nuk është aspak i shqetësuar. “Do të jem ende këtu për katër muaj, ka pasur momente që më kanë shkaktuar tension, më kanë bërë keq, por duhet të mbetem i përqendruar në punën time. Dua të shënoj sa më shumë gola”, theksoi shqiptari. Në muajin janar u përfol shumë që elbasanasi mund të kalonte në Serinë A te Siena, në Bundesligë te Mynshengladbahu apo në Superligën zvicerane te Grasshoper, por nuk ndodhi asgjë. Sadiku ka shënuar 6 gola në 400 minuta dhe trajneri i përfaqësueses sonë ka vendosur që të mos i injorojë këto shifra të rëndësishme, duke thirrur për herë të parë në ekipin kombëtar shpresën e re të sulmit të Shqipërisë, 20-vjeçarin. Armando Sadiku është grumbulluar për ndeshjen miqësore me Gjeorgjinë më 29 shkurt. Trajneri ka ndjekur ecurinë e lojtarit dhe madje e pa atë në aksion në një ndeshje miqësore të Lokarnos. Megjithatë, futbollisti u pëlqye kundër një rivali shumë më të lartë në nivel se skuadra e tij. Në fund të ndeshjes De Biazi takoi si Sadikun ashtu edhe Klodian Seminën, një përfaqësues që luan për Lokarnon. Ai i inkurajoi dy lojtarët për të dhënë më të mirën. Sadiku prej një viti luan për ekipin e kategorisë së dytë në Zvicër, Lokarno. Që atëherë ai është dalluar si një golashënues i rregullt. Në fazën e dytë të sezonit të kaluar, ai shënoi 9 gola, duke i siguruar mbijetesën skuadrës. Në fazën e parë të sezonit aktual, elbasanasi 20-vjeçar ka shënuar 10 gola vetëm në kampionat. Shpërthimi i tij u pa edhe në ndeshjet e Shpresave. Ka shënuar tri dopieta, kundër Moldavisë, Polonisë dhe Portugalisë. Sadiku e nisi karrierën në vitin 2007 dhe për dy sezone luajti për skuadrën e Turbinës ku nuk arriti të aktivizohej në asnjë ndeshje. Më pas nga sezoni 2009-2010 luajti për skuadrën e Gramozit të Ersekës, ku ishte i pranishëm në 29 takime, ku realizoi vetëm 8 gola. Nga sezoni 2010-2011 mbajti të veshur fanellën e Elbasanit, ku u aktivizua në 14 ndeshje duke e dërguar topin 5 herë në rrjetë. Nga viti 2011 është aktivizuar me Lokarnon ku ka shënuar 19 gola në 26 takime të zhvilluara. “Klubet që e kanë kërkuar edhe më parë si Grasshopers apo Zyrih janë të interesuar. Merkato në Zvicër përfundon në fund të muajit. Sadiku mund të transferohet këtë muaj ose në verë në një klub më të rëndësishëm”, tha menaxheri i tij, Sokol Haxhia.

Top Channel