“Mund të fitoni? Përndryshe më tallin në shkollë!”

18/02/2012 00:00

Mbrëmja e së premtes sigurisht nuk ishte shumë e mirë për Filipon, tifozin e vogël të Interit që në shkallët e stadiumit mbante në duar një pankartë të vecantë.

“Mund të fitoni? Përndryshe në shkollë do të më tallin! Faleminderit Filipo”. Kështu shkruhej në pankartën e vogëlushit.

Por për fat të keq, skuadra e vogëlushit humbi me rezultatin zhgënjyes 3-0 ndaj Bolonjës dhe e hëna, si ditë mësimore, mund të jetë e vështirë për të.

Kriza, drejtuesit e Interit “zbresin në fushë”

Humbja shokuese ndaj Bolonjës ishte e tepërt për Interin, e dyta radhazi
në San Siro pas asaj kundër Novarës, dy skuadra me objektiva modeste në
krahasim me skuadrën zikaltër. 

Pikërisht për të kuptuar se cfarë po ndodh në kampin zikaltër, vetë drejtuesit kryesorë të klubit, bashkë me trajnerin Claudio Ranieri zhvilluan një takim me të gjithë lojtarët paraditen e së shtunës.

Takimi është zhvilluar pa praninë e mediave, por shtypi italian shkruan se trajneri Ranieri ka folur me të gjithë lojtarët në një përpjekje për të kuptuar se ku qendronte motivi jo vetëm i rezultateve zhgënjyese të ndeshjeve të fundit, por edhe i paraqitjes së dobët të skuadrës, e cila në dy ndeshjet e fundit ka pësuar 4 gola dhe nuk ka shënuar asnjë.

Në takim kanë qenë të pranishëm edhe drejtues të lartë të Interit, që nga drejtori teknik Marco Branca e deri tek zv/drejtori i përgjithshëm, Stefano Filucchi. Takimi u mbajt në një kohë kur skuadra po përgatitet për sfidën e rëndësishme në Ligën e Kampionëve, atë ndaj Marsejës që do të luhet të mërkurën në Francë.

Top Channel