Erkand Qerimajt nuk i hiqet bursa olimpike

18/02/2012 00:00

Erkand Qerimajt nuk do t’i hiqet bursa. Të paktën ky vendim është marrë
më në fund nga Komisioni Teknik i KOKSH, i cili dje zhvilloi mbledhjen e
radhës.

Ndër pikat për diskutim në këtë mbledhje ishte shqyrtimi i kërkesës së Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, e cila ka kërkuar ndryshimin e bursës olimpike për sportistët nga sportisti Erkand Qerimaj te Hysen Pulaku. Në mbledhje mori pjesë edhe sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Ilir Kraja, i cili ishte i ftuar nga Komisioni Teknik për të dhënë më shumë informacion dhe për të argumentuar kërkesën e FSHP për ndryshim e bursës, nga peshëngritësi i njohur me rezultate të konfirmuara në vitet e fundit te talenti i ri dhe premtues. Ndër variantet e propozuara ishin që bursa të ndahej midis dy sportistëve. Një tjetër variant ishte që të pritej rezultati i Kampionatit Europian, i cili do të zhvillohet në muajin prill dhe më pas të merrej një vendim më i drejtë. Anëtarët e Komisionit Teknik, të gjithë të një mendimi theksuan se “nuk mund të merrnin një vendim pa qenë të bindur pse kërkohej ky ndryshim, duke marrë në konsideratë që të dy sportistët kanë rezultate të mira dhe për më shumë, të dy do të jenë pjesëmarrës në Olimpiadën Londër 2012”. Mendimi i anëtarëve të këtij komisioni ishte që “në këtë moment, ne duhet të kujdesemi që këta sportistë të kenë stërvitshmërinë e duhur për përgatitje gjatë kësaj kohe përpara Olimpiadës dhe shumë mirë që ekziston kjo konkurrencë, sepse tregon që do të ndikojë në ambicien e sportistëve, e cila përkthehet në rezultate të larta”.

Komisioni vendosi që sportisti Erkand Qerimaj të vijojë të përfitojë bursën, ndërkohë që Komisioni Teknik do t’i paraqesë kërkesë Komitetit Ekzekutiv të KOKSH-it të gjejë mundësinë nga burime të tjera të trajtojë edhe sportistin Hysen Pulaku për përgatitjen për Olimpiadë. Sipas vendimit të marrë më parë nga Komisioni Teknik që sportistët nuk do të përfitojnë më para në dorë, federatave iu është kërkuar që të paraqesin në KOKSH propozimet për qendrat se ku do të stërviten sportistët përfitues të bursës.

Top Channel