Bakaj: Jam unë që dua të iki nga Dinamo

18/02/2012 00:00

Elis Bakaj rrëfen arsyet e divorcit të mundshëm me Dinamon e
Bukureshtit. “Po, iu kam kërkuar që të iki, madje ta prish edhe
kontratën. Në fillim nuk donin, kurse tani më kërkojnë para për
kartonin”, ka thënë 25-vjeçari.

Gjatë këtij sezoni, Elis Bakaj ka luajtur gjithnjë e më pak, pa ndonjë motiv thelbësor, por thjesht për shkak se ndryshoi trajneri i skuadrës. I pafat edhe nga një dëmtim që e mbajti për më shumë se një muaj jashtë fushës, mesfushori humbi terren karshi rivalëve të tij, ndërsa tekniku Liviu Ciobotariu filloi të mbështesë vetëm lojtarët e krahut të tij. Sapo nisi merkato e janarit, Bakaj i kërkoi klubit që të largohej, qoftë edhe në formë huazimi, por me qëllimin që të luante. Drejtuesit ishin dakord, por trajneri kundërshtoi duke i thënë se e donte në ekip dhe e kishte në planet e tij. Gjatë kësaj periudhe lojtari dogji mundësinë që të shkonte në skuadra që i ofronin vërtet shumë para si Çernomorets, apo edhe në Izrael. Ish-futbollisti i Dinamos dhe Partizanit pohon se i ka bërë kërkesë klubit edhe për prishje kontrate, por ata tani kërkojnë edhe para për kartonin e tij. “I bëra kërkesë klubit në fillim dhe ma refuzuan, duke më kërkuar të qëndroja. Tani që u mbyll merkato, më thonë se jam i lirë të iki, por duhet një klub që të mund të paguajë kartonin tim. Nuk kam çfarë të bëj. Nëse nuk do të huazohem në ndonjë skuadër tjetër rumune brenda pak ditëve që kanë ngelur, atëherë do të qëndroj këtu deri në fund të sezonit”, është shprehur mesfushori.

Top Channel