Shefi i ekipit negociator serb, Borisllav Stefanoviç ka akuzuar palën
kosovare se nuk është aspak elastike dhe fleksibël në proçesin e
bisedimeve dypalëshe.

“Pozicioni i delegacionit të Prishtinës ka mbetur i pandryshuar përsa i përket çështjes së përfaqësimit të Kosovës në nismat rajonale”, ka deklaruar Stefanoviç.

Negociatori serb i ka quajtur spekulime mediatike lajmet se Prishtina ka rënë dakord që Kosova të përfaqësohet me Rezolutën 1244 dhe vendimin e GJND-së për pavarësinë.

“Pozicioni i tyre është tradicional dhe maksimalist”, është shprehur më tej Stefanoviç për agjencitë serbe të lajmeve.

Dialogu për çështjet teknike mes Prishtinës dhe Beogradit ka filluar në mars të vitit të kaluar dhe deri tani, me ndërmjetësimin e BE-së, janë zhvilluar disa raunde.

Muajin e kaluar ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç deklaroi se Serbia nuk do të tërhiqet kurrë nga rezoluta 1244, të cilën ai e vlerësoi si “vijë të kuqe”.

Ndërsa kryeministri kosovar Hashim Thaçi deklaroi javën e kaluar në Parlament se rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit është e tejkaluar dhe se shteti i Kosovës është i përjetshëm.

”Ju siguroj të gjithëve se rezoluta 1244 për mua dhe qeverinë, Kuvendin e popullin e Kosovës është e tejkaluar, ndërsa shteti sovran dhe i pavarur është i përjetshëm”, deklaroi Thaçi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA