SHBA: Irani nuk do të fillojë luftë

16/02/2012 19:45

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të sigurta se Irani nuk ka mundësitë, dëshirën dhe kapacitetet për të nisur një luftë.

Një rrjet televiziv amerikan citoi burime të larta brenda CIA-s, që u shprehën të bindura se Teherani po luan vetëm “bllofin” në lojën e forcës midis vendit aziatik dhe perëndimit.

”Irani nuk është në gjendje që të mbyllë, të paktën aktualisht, Ngushticën e Hormuzit”, deklaroi burimi i mbetur anonim për mediat amerikane.

”Ata e dinë shumë mirë që një luftë do të ishte shkatërrimtare për vendin dhe që regjimi nuk mund të mbijetojë nëse kjo do të ndodhë. Nga burimet tona, nuk kemi asnjë arsye përse të besojmë që Irani po përgatitet për luftë”.

Gjithashtu, drejtuesi i lartë në Agjensinë Qëndore të Inteligjencës përjashtoi kategorikisht mundësinë që raketat iraniane të godasin bazat amerikane në rajon.

Sipas CIA-s, përgjigja më e fortë e Teheranit mund të vijë nëpërmjet financimit të sulmeve terroriste në vende të ndryshme në botë.

Irani, një vend me 75 milion banorë, është shndërruar në objekt sanksionesh ndërkombëtare për shkak të ambicjeve të tij bërthamore. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli nuk e kanë përjashtuar mundësinë e një sulmi ndaj Iranit, nëse kriza do të përshkallëzohet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA