
Komiteti Olimpik Ndërkombëtar zyrtarizon 5 qytetet kandidate për organizimin e Lojërave Olimpike të vitit 2020. Pas tërheqjes së kandidaturës së Romës, në garë për të mbajtur evenimentin më të rëndësishëm sportiv mbetën Baku, Doha, Stambolli, Tokio dhe Madridi.
Komitetet Organizative të këtyre vendeve kanë dërguar në zyrat e IOC dosjet ku u janë përgjigjur shumë pyetjeve në lidhje me mbajtjen e Lojërave Olimpike, ndërkohë që janë dhënë edhe garancitë financiare nga ana e qeverive respektive.
Komiteti Olimpik Ndërkombëtar do të ngrejë një grup pune për të studiuar këto kandidatura dhe për të zgjedhur ato që do të kalojnë në fazën e dytë. Ndërkohë, brenda janarit të vitit 2013, Komitetet Organizative të këtyre qyteteve do të duhen të dërgojnë në zyrat e IOC dosjen e plotë.
Në periudhën shkurt-prill, Komisioni i Vlerësimit do të vizitojë këto qytete për të përpiluar më pas një raport përfundimtar. Qyteti që do të fitojë të drejtën për organizimin e Lojërave olimpike të vitit 2020 do të caktohet në datën 7 shtator 2013 në mbledhjen e IOC në Buenos Aires.
Top Channel