Top Channel është vendosur në qendër të debateve në Parlamentin e Maqedonisë.

Projektligji i qeverisë për veprimtarinë e mediave të huaja në Maqedoni ka nxitur replika ashpra në Kuvend. Deputetët e opozitës akuzuan se qeveria po tenton të fusë nën kontroll edhe korrespodentët e mediave të huaja.

Akuza e këtillë u kundërshtuan nga deputetët e mazhorancës të cilët thanë se ligji u garanton liri të plotë gazetarëve të huaj. Në bazë të projekt-ligjit të Qeverisë, korrespodentët e huaj për të qëndruar në Maqedoni duhet të marrin çdo vit leje nga Ministri i Jashtëm. Ky ligj, po ashtu u pamundëson korrespodentëve të huaja që të bëjnë anketa me qytetarët.

” Me këtë ju censuroni mediat që ato mos të mbledhin mendime nga qytetarët, mos të dalë “Top Channel” në rrugët e Shkupit për ndonjë çështje që të marrë mendim prej qytetarëve. Ju duhet ta dini se kjo i censuron pikërisht këto media shqitpare që janë të interesuara për pjesën e popullit shqiptar që jeton në Maqedoni”, deklaroi Izet Zeqiri, deputeti i RDK-së.

Nga ana e saj, Suzana Saliu, deputete e BDI-së në pushtet, mbajti një qëndrim kundërshtues ndaj pretendimeve të partive shqiptare në opozitë. ”Ligji është shumë i qartë. Hyrja dhe shpërndarja i shtypit të huaj është e lirë. Pra ligji përjashton çdo lloj censure”, vlerësoi ajo.

”Mos e dezinformoni koleg i nderuar opinionin se do të mbyllet ose ndalohet ky apo ai televizion shqiptar. Kush mund ta ndalojë një “Top Channel”, që është televizioni më i shikuar në Maqedoni, që përcillet edhe nga bashkëqytetarët tanë maqedonas”.

Gjithsesi, Zijadin Sela, deputet i PDSH-së, theksoi se nuk ka përse të lindë nevoja që një gazetar i huaj me banim në Maqedoni të paraqitet vit pas viti përpara autoriteteve për të zgjatur lejen e tij. “Përse duhet të ekzistojë një një ligj, i cili detyron gazetarin që çdo vit të shkojë dhe të përulet tek një zyrtar i qeverisë, vetëm e vetëm që të vazhdojë lejen. Është shumë e lehtë që korrespodentit të “Top Channel” në Maqedoni shumë lehtë mund të mos i jepet leja”.

Duke folur për rëndësinë e mediave të huaja në vend, deputeti maqedonas i LSDM-së, Jani Makraduli tha se pushtetit i pengon që “Top Channel” apo ndonjë media tjetër të informojnë në mënyrë të pavarur për zonat e varfëra shqiptare në Maqedoni.

Qëndrimi i qeverisë aktuale ndaj mediave viteve të fundit, vazhdimisht është kritikuar në raportet ndërkombëtare. Vitin e kaluar në Maqedoni u mbyll televizoni më i shikuar privat “A1” dhe disa gazeta me qasje opozitare.

Top Channel